Momenti i arrestimit të të dyshuarit për rrjedhjen e dokumenteve në ShBA
Në internet është publikuar momenti i arrestimit të të riut Jack Teixeira, i dyshuar për rrjedhjen e dokumenteve të klasifikuara të inteligjencës ushtarake në ShBA për luftën në Ukrainë dhe për çështje të tjera.
21-vjeçari u arrestua nga FBI-ja afër shtëpisë së familjes së tij në Dighton, në pjesën rurale të Massachusetts-it, të enjten, raporton televizioni BBC.
Teixeria është identifikuar si udhëheqës i një grupi të bisedave në internet, ku u shfaqën për herë të parë dokumentet. Ai akuzohet për marrje dhe transmetim të papautorizuar të dokumenteve të klasifikuara.
I riu kishte punuar si specialist i teknologjisë së informacionit në organin e inteligjencës së Gardës Kombëtare në Massachusetts.
Ai ishte anëtar i një grupi të bisedave në internet, ku kryesisht kishte të rinj të tjerë, me të cilët dyshohet se ka ndarë të dhëna sekrete me muaj të tërë.
Zyrtarët e Pentagonit nuk morën vesh për rrjedhjen e dokumenteve derisa ato filluan të publikoheshin edhe jashtë grupit të bisedave.
Pentagoni ka thënë se do t’i rishqyrtojë procedurat për shpërndarjen e të dhënave sekrete, por një zëdhënës tha se është në natyrën e ushtrisë amerikane që t’u besojë shërbyesve të rinj për detyra me përgjegjësi të lartë.
Prokurori i përgjithshëm i ShBA-së, Merrick Garland, tha se i dyshuari është dërguar në ndalim pa ndonjë incident. Ai nuk dha hollësi të tjera për hetimet ose për motivin e të dyshuarit për publikimin e dokumenteve.
