Moldavia dëbon 45 diplomatë rusë e pjesëtarë të stafit të ambasadës së Rusisë - NACIONALE

Moldavia dëbon 45 diplomatë rusë e pjesëtarë të stafit të ambasadës së Rusisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Moldavia ka urdhëruar 45 diplomatë rusë dhe pjesëtarë të stafit të ambasadës ruse që të largohen nga vendi, duke e zvogëluar dukshëm numrin e zyrtarëve që Rusia mund t’i ketë në kryeqytetin moldav, me arsyetimin se ata kanë kryer veprime armiqësore me vite të tëra.

“Ne u pajtuam për nevojën për ta kufizuar numrin e diplomatëve të akredituar nga Rusia, në mënyrë që të ketë më pak njerëz që mundohen për ta destabilizuar Republikën e Moldavisë”- tha në një takim të kabinetit ministri i Jashtëm i Moldavisë, Nicu Popescu.

Ministria e Jashtme e Moldavisë tha se Rusia do të ketë kohë deri më 15 gusht që ta zvogëlojë personelin e ambasadës nga 80 anëtarë në 25, raporton gazeta “The Guardian”.

“Për shumë vjet, ne kemi qenë objekt i veprimeve dhe politikave armiqësore ruse. Shumë prej tyre janë bërë përmes ambasadës”- tha kryediplomati moldav.

Rusia reagoi për këtë vendim. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, tha në konferencën javore për gazetarë se vendimi i Moldavisë nuk do të mbesë pa përgjigje, duke e quajtur “hap tjetër në shkatërrimin e marrëdhënieve dypalëshe” mes dy vendeve.

Kremlini tha se shpreh keqardhje për vendimin e Moldavisë dhe i akuzoi udhëheqësit e këtij shteti për inkurajimin e “rusofobisë”. “Fatkeqësisht, Çisinau po i çon qëllimisht marrëdhëniet tona drejt një gjendjeje shumë të mjerë”- tha para gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Moldavisë – dikur pjesë e Bashkimit Sovjetik, prekën një pikë të re të ulët këtë vit, pasi presidentja moldave, Maia Sandu, e dënoi ashpër pushtimin rus të Ukrainës dhe e akuzoi Rusinë për komplot për ta rrëzuar atë nga pushteti.

Lajme të ngjashme