Mobilizimi ushtarak po i godet fort banorët e rajonit të varfër rus, Buryatia - NACIONALE

Mobilizimi ushtarak po i godet fort banorët e rajonit të varfër rus, Buryatia

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një ditë pas urdhrit të presidentit rus, Vladimir Putin, për mobilizim të pjesshëm ushtarak që të fuqizohen forcat që po luftojnë në Ukrainë, disa zyrtarë shkuan në shtëpinë e Alexander Bezdorozhny-t me letra të rekrutimit, me të cilat urdhërohej që të paraqitej për shërbim.

Reuters

Sidoqoftë, ata po thërrisnin një person të vdekur.

Bezdorozhny, që vuajti nga ndezja kronike e mushkërive, vdiq në moshën 40-vjeçare në dhjetorin e vitit 2020, në kulmin e pandemisë së koronavirusit, kur ishte në ventilator në një spital të vendlindjes së tij në Siberi, Ulan-Ude, afër kufirit me Mongolinë, i tha agjencisë “Reuters” motra e tij, Natalia Semyonova.

“Më dhemb që shtetit iu kujtua për të vetëm pas vdekjes”, tha muzikantja profesioniste dhe aktivistja, duke rrëfyer për thirrjen e autoriteteve për vëllanë e saj.

“Ai ishte invalid dhe kurrë nuk kishte shërbyer në ushtri”, shtoi ajo.

Në Buryatia, rajon kryesisht rural përreth bregut jugor të Liqenit Baikal, në mobilizim janë përfshirë disa burra pavarësisht nga mosha, e kaluara ushtarake ose shëndetësore e tyre, sipas intervistave me banorët, aktivistët për të drejtat e njeriut dhe madje edhe sipas deklaratave të zyrtarëve lokalë.

Aktivistët për të drejtat e njeriut në këtë rajon dyshojnë se barra e mobilizimit – dhe vetë lufta – po bie mbi rajonet e varfra me pakica etnike për ta shmangur zemërimin e popullsisë në Moskë, që ndodhet 6.000 kilometra larg.

Putini gjithmonë thekson se Rusia, ku qindra grupe etnike kanë jetuar me shekuj bashkë me popullsinë sllave shumicë, është shtet multietnik dhe se ushtarët e cilësdo etni janë heronj, nëse luftojnë për Rusinë.

Pak pas njoftimit të Putinit për mobilizim, të mërkurën, ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, tha se thirrja nuk vlen për të gjithë qytetarët, por vetëm për rezervistët ushtarakë që kanë shërbyer më parë në ushtrinë ruse dhe që kanë përvojë luftarake ose shkathtësi të specializuara ushtarake.

Sidoqoftë, i tillë ishte zemërimi për mobilizimin në Buryatia, saqë guvernatori Alexei Tsydanov të premten lëshoi një deklaratë për të qartësuar se ata që nuk kanë shërbyer në ushtri ose që kanë arsye shëndetësore, nuk do të mobilizohen, edhe pse pranoi se disa njoftime për rekrutim u janë dërguar edhe këtyre personave.

“Nga mëngjesi i sotëm, 70 persona të tillë, që kishin marrë thirrje, janë dërguar në shtëpi, edhe nga pikat e grumbullimit, edhe nga njësitet ushtarake”, shkroi ai një rrjetin “Telegram”.

Sipas tij, nëse janë bërë gabime, njerëzit “thjesht duhet t’i informojnë përfaqësuesit e zyrës për rekrutim ushtarak në pikën e grumbullimit, me dokumente mbështetëse”.

Zyra e rekrutimit në Ulan-Ude dhe Ministria e Mbrojtjes në Moskë nuk iu përgjigjën kërkesës për koment rreth situatës.

Mobilizim provincial

“Nuk ka asgjë të pjesshme rreth mobilizimit në Buryatia. Ata po e marrin secilin”, tha Alexandra Garmazhapova, kryetare e Fondacionit “Free Buryatia”, organizatë që u ofron ndihmë ligjore personave të rekrutuar.

Fondacioni i saj ka grumbulluar qindra apele për ndihmë nga banorët të afërmit e të cilëve kanë marrë dokumente për mobilizim. Shumë prej tyre janë mbi moshën 40-vjeçare dhe kanë probleme shëndetësore që do të duhej t’i përjashtonin nga shërbimi ushtarak, tha Garmazhapova.

Sipas saj, 4.000 deri në 5.000 banorë të rajonit janë rekrutuar në natën e parë të mobilizimit. Ajo tha se në shumë raste, zyrtarët i kanë shpërndarë thirrjet natën.

Uebfaqja e pavarur e lajmeve, “Ludi Baikala”, ka vlerësuar se 6.000 deri në 7.000 njerëz mund të mobilizohen nga popullsia prej 978.000 banorësh.

Një banor i fshatit Orongoi, popullsia e të cilit më 2010 ishte 1.700, i tha agjencisë “Reuters” se 106 burra nga ky fshat janë mobilizuar. Personi refuzoi që të identifikohej.

Garmazhapova thotë se mobilizimi i gjerë në Buryatia, ku rreth një e treta e popullsisë përbëhet nga pjesëtarët e etnisë Buryat, njerëz kryesisht budistë, të lidhur ngushtë me mongolët, është zgjedhje e qëllimshme politike nga autoritetet lokale, të cilat synojnë që ta kënaqin Putinin.

“Qendra federale po mundohet të mos i prekë Shën Petersburgun dhe Moskën, sepse në Moskë mund të ketë protesta kundër Kremlinit”, tha ajo.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme