Mizoria ruse e prek edhe Sirinë, Moska i bllokon në OKB ndihmat për katër milionë njerëz
Rusia është akuzuar për “akt të mizorisë së plotë”, pasi e ka shfrytëzuar të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për ta bllokuar zgjatjen 9-mujore të ndihmave të huaja për t’u ndihmuar katër milionë njerëzve që jetojnë në zonat e kontrolluara nga rebelët në pjesën veriperëndimore të Sirisë.
Ky votim e hedh në dyshim ekzistencën e vazhdueshme të rrugës kyçe të ndihmave nga Turqia në Siri dhe paraqet një goditje tjetër ndaj një popullsie që ende është duke vuajtur nga pasojat e tërmetit shkatërrues të shkurtit, raporton gazeta “The Guardian”.
Përmes këtij operacioni janë dhuruar ndihma si ushqimi, ilaçet e strehimi që nga viti 2014 nën autorizimin e Kombeve të Bashkuara, ndërsa leja për të qarkulluar ndihmat nëpër pikëkalimin kufitar në Bab al-Hawa skadoi të hënën.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, kishte dëshiruar që afati i lejes për qarkullimin e ndihmave të zgjatej për 12 muaj, ndërsa Rusia tha se do të pranonte zgjatje për vetëm gjashtë muaj. I dërguari i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia, paralajmëroi se nëse propozimi i vendit të tij për gjashtë muaj zgjatje nuk do të përkrahej, “atëherë ne thjesht mund të ecim përpara e ta mbyllim mekanizmin ndërkufitar”.
Britania e Madhe dhe 12 anëtare të tjera të Këshillit të Sigurimit votuan për ta vazhduar qarkullimin e ndihmave për nëntë muaj, por Rusia e përdori veton ndaj atij që u paraqit si kompromis mes propozimit rus për gjashtë muaj dhe propozimit të Guterresit për 12 muaj. Vetëm Rusia dhe Kina votuan për propozimin rus, ndërsa dhjetë anëtare të tjera abstenuan e ShBA-ja, Britania e Franca votuan kundër tij.
Për t’u miratuar, një rezolutë duhet të përkrahet me votat e të paktën nëntë anëtareve të Këshillit të Sigurimit dhe të mos ketë asnjë veto nga pesë anëtaret e përhershme – ShBA-ja, Rusia, Kina, Britania dhe Franca.
Rusia, e cila më parë e ka zvogëluar numrin e pikëkalimeve kufitare për dërgimin e ndihmave, i cilëson rrugët e ndihmave si shkelje e sovranitetit të Sirisë.
“Është një moment pikëllues për popullin sirian. Ai për të cilin ne sapo ishim dëshmitarë, ai për të cilin bota sapo ishte dëshmitare, ishte një akt i mizorisë së plotë”- tha ambasadorja e ShBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield.