Mitralozë e hanxharë: Armët me të cilat u masakruan mijëra iranianë në protesta - NACIONALE

Mitralozë e hanxharë: Armët me të cilat u masakruan mijëra iranianë në protesta

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Një analizë e qindra videove e fotografive të bëra gjatë protestave të fundit në Iran, e kryer nga shërbimi i BBC-së në gjuhën perse, e konfirmon përdorimin e një llojllojshmërie armësh nga forcat e sigurisë, përfshirë mitralozët, snajperët e pushkët teke.

Raportohet se protestues janë vrarë në shumë prej mbi 200 qyteteve ku ishin regjistruar protesta. Edhe pse numri i saktë i të vdekurve mbetet i paqartë, niveli i brutalitetit dhe përdorimi i armëve vdekjeprurëse, i dëshmuar në pamje, rrëfimet e dëshmitarëve dhe raportet e grupeve për të drejtat e njeriut dhe mediat tregojnë se mijëra njerëz janë vrarë në mbarë vendin, raporton televizioni BBC.

“Kjo është vrasja më e madhe masive në historinë bashkëkohore të Iranit dhe njëra nga më të mëdhatë në botë” – tha Payam Akhavan, ish-prokuror iraniano-kanadez i OKB-së në Gjykatën Ndërkombëtare Penale në Hagë.

Qeveria iraniane i ka fajësuar “trazuesit dhe terroristët” për vdekjen e protestuesve, por analiza e shërbimit të BBC-së në gjuhën perse tregon se ndaj protestuesve janë përdorur disa lloje armësh, përfshirë: mitralozët, snajperët, pushkët sulmuese, pushkët teke, pistoletat, gazi lotsjellës, hanxharët, thikat, shkopinjtë dhe laserët e gjelbër (për verbim dhe shënjestrim).

Në pamje nga qytetet si Teheran, Isfahan, Yazdanshahr dhe Shahsavar, të verifikuara nga shërbimi i BBC-së në gjuhën perse, shihen mitralozë të rëndë si DShK dhe mesatar si PK të montuar në automjete ushtarake. Forcat e sigurisë thuhet se i përdorën këto armë për kontrollimin e turmave dhe për ta vendosur gjendjen e rrethimit.

Në një video të protestave të 9 janarit në Yazdanshahr, e publikuar nga rrjeti televiziv “Iran International”, shihen qartazi protestues duke u ballafaquar me zjarr të vazhdueshëm nga mitralozi. Zjarri masiv i pushkës është i dukshëm në videon 46-sekondëshe.

Dëshmitarët i kanë thënë shërbimit të BBC-së në gjuhën perse se edhe snajperët janë përdorur gjerësisht gjatë protestave të janarit dhe një gjë e tillë konfirmohet përmes pamjeve të verifikuara.

Në një intervistë me televizionin shtetëror iranian, një ekspert i forenzikës konfirmoi se disa protestues janë vrarë me snajper.

Lajme të ngjashme