Ministria e Mbrojtjes e Japonisë kërkon buxhet rekord për vitin e ardhshëm
Ministria e Mbrojtjes e Japonisë të enjten kërkoi buxhet rekord prej 7,7 trilionë jenësh (52,67 miliardë dollarë) për shpenzime për vitin fiskal 2024. Ky është hapi më i ri i kryeministrit Fumio Kishida për t’i rritur shpenzimet ushtarake për 43 trilionë jenë gjatë pesë vjetëve.
Përmes planit të publikuar vitin e kaluar synohet që të dyfishohen shpenzimet ushtarake në 2 për qind të prodhimit vendës bruto deri më 2027, përderisa vendi ballafaqohet me një Kinë gjithnjë më të ashpër dhe një Kore Veriore të paparashikueshme, raporton agjencia “Reuters”.
Kërkesa e Ministrisë së Mbrojtjes vjen në kohën e përkeqësimit të ndjeshëm të marrëdhënieve mes Japonisë e Kinës. Japonia javën e kaluar filloi që të hidhte në det ujë radioaktiv të trajtuar nga centrali bërthamor në Fukushima. Kina e dënoi këtë veprim dhe e ndaloi importimin e ushqimit të detit nga Japonia.
Kërkesa për vitin fiskal 2024, e dorëzuar në Ministrinë e Financave, shton gati një trilion jenë në krahasim me buxhetin e vitit të kaluar prej 6,8 trilionë jenësh, rritje prej rreth 13 për qind.
Ministria e Mbrojtjes planifikon që të ndajë më shumë se 900 miliardë jenë për municion dhe armë, përfshirë raketat e mbrojtjes ajrore me bazë në anije, sipas kërkesës për buxhetin e ri.
Rreth 600 miliardë jenë do të përdoren për fuqizimin e kapaciteteve të logjistikës për të dislokuar armë dhe burime në zinxhirin e ishujve jugperëndimorë në raste urgjente.
Japoni do të ndajë edhe 75 miliardë jenë për zhvillimin e përbashkët të raketave sulmuese me Shtetet e Bashkuara për t’iu kundërvënë kokave hipersonike, si dhe 64 miliardë jenë për prodhimin e aeroplanëve luftarakë të gjeneratës së ardhshme me Britaninë e Madhe dhe Italinë.
Plani për shpenzime rekorde i aleates së palëkundshme të ShBA-së vjen pas disa dekadave të politikave pacifiste.
