Ministria e Jashtme e Afganistanit i dënon urdhërarrestet e GjNP-së për udhëheqësit talibanë - NACIONALE

Ministria e Jashtme e Afganistanit i dënon urdhërarrestet e GjNP-së për udhëheqësit talibanë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministria e Jashtme e Afganistanit tha të premten se “e dënon fuqishëm” dhe e refuzon kërkesën e prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GjNP) për lëshimin e urdhërarresteve për dy udhëheqës talibanë.

Në një deklaratë, kjo ministri tha se këtyre fletarresteve, ku dy udhëheqësit akuzohen për përndjekje të grave dhe vajzave, “u mungon baza e drejtë ligjore, karakterizohen nga standardet e dyfishta dhe janë të motivuara politikisht”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale të enjten njoftoi se do të kërkonte lëshim të urdhërarresteve për udhëheqësin suprem shpirtëror të talibanëve, Haibatullah Akhundzada, dhe Abdul Hakim Haqqani, i cili ka shërbyer si zyrtari më i lartë për drejtësi në Afganistan që nga viti 2021.

Përndjekja e grave dhe vajzave ka ndodhur në mbarë Afganistanin nga të paktën 15 gushti i vitit 2021 – dita kur talibanët e morën nën kontroll kryeqytetin Kabul pas një kryengritjeje dydekadëshe kundër qeverisë së mbështetur nga Perëndimi – deri në ditët e sotme.

Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Afganistanit, që udhëhiqet nga talibanët, thuhet: “Është për keqardhje që gjatë dy dekadave të pushtimit në Afganistan, ky institucion (GjNP) i mbylli sytë para krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit të kryera nga forcat e huaja dhe aleatët e tyre vendës.”

Grupi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, “Amnesty International”, tha të premten se njoftimi i prokurorit të GjNP-së është “zhvillim i rëndësishëm”.

“Ky është një hap jetik për t’i mbajtur para llogarisë të gjithë ata që dyshohet se janë përgjegjës për privimin nga të drejtat e themelore të mbështetur në gjini” – tha sekretarja e përgjithshme e organizatës, Agnes Callamard./Nacionale

Lajme të ngjashme