Ministri izraelit thotë se ushtria do të mbetet në Gaza edhe për shumë vjet
Ushtria izraelite do të mbetet në Gaza për shumë vjet, duke luftuar kundër të rekrutuarve të rinj të Hamasit në enklavë dhe mund të jetë përgjegjëse për shpërndarjen e ndihmave humanitare atje, sipas ministrit izraelit të Sigurisë Ushqimore, Avi Dichter.
Komentet e ministrit që është edhe anëtar i kabinetit të sigurisë në Izrael vërtetojnë një tablo në ardhje të dislokimit afatgjatë të trupave izraelite brenda Gazës, pa ndonjë plan të menjëhershëm izraelit për qeverisje të enklavës nga ndonjë administratë tjetër dhe për fillimin e rindërtimeve atje, raporton gazeta “The Guardian”.
“Mendoj se do të qëndrojmë në Gaza për një kohë të gjatë. Mendoj se shumica e njerëzve kuptojnë që [Izraeli] do të jetë me vjet në një lloj situate të Bregut Perëndimor, ku hyn brenda dhe del jashtë dhe ndoshta mbetesh përgjatë [korridorit] Netzarim” – tha ministri Dichter.
Rezervistët që kanë shërbyer rishtazi në Gaza ia kanë përshkruar gazetës “The Guardian” nivelin e infrastrukturës së re ushtarake që është ndërtuar në enklavë nga Izraeli. Aty përfshihen kampe të reja e të gjera dhe rrugë në pjesët veriore e qendrore të Gazës.
Një oficer i demobilizuar rishtazi tha se kishte kaluar një pjesë të madhe të 70 ditëve të kaluara duke shembur shtëpi për ta pastruar terrenin për ato që ishin bërë një varg bazash të mëdha ushtarake në korridorin Netzarim të Gazës, zonë ushtarake që është themeluar mes bregdetit të Mesdheut dhe perimetrit lindor të rrethojës së Gazës.
“Ky ishte misioni i vetëm. Nuk ishte asnjë ndërtim i vetëm i mbetur që ishte më i gjatë se deri te beli im kudo [në korridor], përpos bazave dhe kullave tona të vëzhgimit” – tha ai.
Rrëfimet e dëshmitarëve i vërtetojnë raportimet e mediave izraelite për ndërtime të gjera nga ushtria izraelite në korridorin Netzarim dhe në pjesë të tjera të Gazës.
Aq shumë lëndë shpërthyese është përdorur për të shkatërruar ndërtesa në pjesët veriore dhe jugore të korridorit Netzarim, saqë disa njësite kanë mbetur me pak material, thanë rezervistë të tjerë të demobilizuar.
Nga sulmet izraelite u vranë të paktën 21 palestinezë në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës të enjten, thanë mjekët, përderisa tanket u futën më thellë në veri dhe në jug të enklavës./Nacionale