Ministri izraelit që iu vra djali në luftë: Qeveria ka dështuar në mënyrë të mjerë, zgjedhje - NACIONALE

Ministri izraelit që iu vra djali në luftë: Qeveria ka dështuar në mënyrë të mjerë, zgjedhje

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një ministër i kabinetit izraelit e akuzoi të mërkurën koalicionin e kryeministrit Benjamin Netanyahu për “dështim në mënyrë të mjerë” në kohën e luftës në Gaza, duke nxitur një qortim nga partia Likud e Netanyahut, përderisa përçarjet politike po thellohen.

Anëtari i Knesset-it, Gadi Eisenkot, vëzhgues në kabinetin e luftës, tha se Netanyahu kishte dështuar në siguri dhe ekonomi dhe bëri thirrje që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij viti, raporton agjencia “Reuters”.

Duke folur në një konferencë, ish-komandanti i ushtrisë izraelite, djali më i vogël i të cilit u vra gjatë luftimeve në Gaza në dhjetor, tha se Netanyahu po i huton izraelitët me slogane të “fitores së plotë” kundër Hamasit, në vend se të jetë i sinqertë për kompleksitetin e luftës së Gazës, që tashmë është në muajin e tetë.

“Kushdo që thotë se ne do të çmontojmë disa batalione në Rafah dhe pastaj do t’i kthejmë pengjet, është duke mbjellë një iluzion të rremë” – tha Eisenkoti. “Do të nevojiten tre deri në pesë vjet për ta stabilizuar [Gazën] dhe pastaj shumë të tjerë për të ndërtuar një alternativë për Hamasin” – shtoi ai.

Sipas Eisenkotit, Netanyahu ka dështuar që t’i përmbushë premtimet kryesore të fushatës së vitit 2022, përfshirë ndërprerjen e programit bërthamor të Iranit, formalizimin e marrëdhënieve me Arabinë Saudite dhe fuqizimin e ekonomisë.

Partia e Netanyahut, Likud, reagoi, duke thënë se Eisenkoti dhe ministri i kabinetit të luftës, Benny Gantz, sfiduesi kryesor i kryeministrit izraelit, po kërkojnë arsyetime për të dalë nga koalicioni në kulmin e luftës.

“Në vend të ndjekjes së fitores, ata po përfshihen në politika të parëndësishme” – tha partia e Netanyahut.

Përplasja e së mërkurës ishte zënka më e re brenda koalicionit, duke ngritur pyetje për atë se si mund të mbijetojë kabineti i luftës, përderisa Netanyahu po kombinon kërkesa që bien ndesh me njëra-tjetrën nga anëtarë të koalicionit dhe ballafaqohet me vëzhgim global rreth luftës së ushtrisë izraelite, përfshirë Shtetet e Bashkuara, aleatet kryesore.

Lajme të ngjashme