Ministri i Mbrojtjes dhe komandanti i SDF-së pajtohen për armëpushim në veri të Sirisë - NACIONALE

Ministri i Mbrojtjes dhe komandanti i SDF-së pajtohen për armëpushim në veri të Sirisë

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Ministri i Mbrojtjes i Sirisë, Murhaf Abu Qasra, dhe komandanti i Forcave Demokratike Siriane (SDF), të cilat përkrahen nga Shtetet e Bashkuara, Mazloum Abdi, u pajtuan të martën për një armëpushim gjithëpërfshirës në të gjitha frontet në veri dhe verilindje të Sirisë.

Armëpushimi hyn në fuqi menjëherë, tha Ministria e Mbrojtjes e Sirisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Përleshjet që kanë ndodhur rishtazi mes dy palëve i kanë hedhur hije një marrëveshjeje të rëndësishme të nënshkruar në mars të këtij viti mes SDF-së të udhëhequr nga kurdët dhe Qeverisë së re siriane të drejtuar nga islamistët për integrimin e kësaj force rajonale në institucionet shtetërore.

Qëllimi i marrëveshjes ishte që të unifikohej shteti i përçarë nga lufta civile 14-vjeçare dhe t’u hapej rruga forcave të udhëhequra nga kurdët për t’u bërë bashkë me forcat qeveritare, pa i përjashtuar as organet qeverisëse rajonale kurde.

Të martën, presidenti sirian, Ahmed al-Sharaa, u takua në Damask me emisarin e posaçëm amerikan për Sirinë, Thomas Barrack, dhe me komandantin e Komandës Qendrore të ShBA-së, Admiral Brad Cooper, tha presidenca siriane.

Këto bisedime, në të cilat morën pjesë edhe ministri i Jashtëm i Sirisë, Asaad al-Shibani, ministri i Mbrojtjes, Abu Qasra, dhe shefi i inteligjencës siriane, Hussein al-Salameh, u përqendruan në zhvillimet e fundit në Siri, në mbështetjen për procesin politik dhe në përpjekjet për t’i fuqizuar sigurinë dhe stabilitetin./Nacionale

Lajme të ngjashme