Ministri gjerman i Financave në Kiev: Ukraina mund të llogarisë në Gjermaninë - NACIONALE

Ministri gjerman i Financave në Kiev: Ukraina mund të llogarisë në Gjermaninë

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti rus, Vladimir Putin, duhet të jetë i vetëdijshëm se përkrahja e Gjermanisë për Ukrainën nuk do të venitet, tha të hënën ministri i Financave dhe zëvendëskancelari gjerman, Lars Klingbeil, me të arritur në kryeqytetin ukrainas Kiev në një vizitë të paparalajmëruar.

“Putini nuk duhet të ketë iluzione se mbështetja e Gjermanisë për Ukrainën do të mund të shkërmoqej” – tha ministri Klingbeil, i cili është kryetar i Partisë Socialdemokrate, partnere në koalicionin qeveritar të udhëhequr nga konservatorët e kancelarit Friedrich Merz, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Përkundrazi: ne mbetemi përkrahësit e dytë më të mëdhenj në botë të Ukrainës në botë dhe më të mëdhenjtë në Evropë. Ukraina mund të vazhdojë që të mbështetet te Gjermania” – shtoi ai.

Ministri gjerman i bëri thirrje Putinit që të dëshmojë interesim në procesin e paqes për t’i dhënë fund luftës më vdekjeprurëse në Evropë në 80 vitet e fundit. Konflikti nisi në shkurtin e vitit 2022.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë përpjekje për të siguruar përfundim të shpejtë të luftës, por Kievi dhe aleatët e tij shqetësohen se kreu i Shtëpisë së Bardhë mund të bëjë presion për marrëveshje sipas kushteve të Rusisë.

Më tej, Klingbeil-i tha se Ukraina duhet të jeë e përfshirë në bisedime dhe se duhet të ketë armëpushim dhe garanci sigurie të besueshme në mënyrë që të ketë paqe të qëndrueshme.

“Për këtë qëllim, ne jemi duke u bashkërenduar ngushtë në rrafshin ndërkombëtar” – deklaroi ai.

Në mesin e opsioneve të paraqitura këtë javë për siguri për Ukrainën pas një marrëveshjeje të mundshme të paqes, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministri britanik, Keir Starmer, i dhanë mbështetje dislokimit të trupave si pjesë e “koalicionit të vullnetit”.

Kancelari gjerman gjithashtu ka sinjalizuar se është i hapur për pjesëmarrjen e vendit të tij, por një veprim i tillë do të nxiste reagime brenda e jashtë spektrit të tij politik, thekson agjencia “Reuters”.

Sipas Ministrisë së Financave të Gjermanisë, Berlini e ka përkrahur Ukrainën me 50,5 miliardë euro që nga fillimi i luftës./Nacionale

Lajme të ngjashme