Ministri Gantz e paralajmëron Hezbollahun për luftimet në kufirin me Libanin
Ministri izraelit pa portofol, Benny Gantz, ka paralajmëruar se ushtria e vendit të tij do të veprojë për ta larguar Hezbollahun nga kufiri me Libanin, nëse sulmet e këtij grupi vazhdojnë.
Gantzi tha se Forcat e Mbrojtjes të Izraelit do të ndërhyjnë, nëse bota dhe qeveria libaneze nuk ua ndalojnë militantëve shkrepjen e zjarrit në drejtim të pjesës veriore të Izraelit, raporton televizioni BBC.
Shkëmbimi i zjarrit në kufirin Izrael – Liban ka eskaluar që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor në jug të Izraelit. Kjo ka shkaktuar shqetësim se konflikti në Gaza mund të përhapet në tërë rajonin.
“Situata në kufirin verior të Izraelit kërkon ndryshim. Koha për një zgjidhje diplomatike po harxhohet, nëse bota dhe qeveria libaneze nuk veprojnë për ta parandaluar qitjen ndaj banorëve veriorë të Izraelit dhe për ta larguar Hezbollahun nga Kufiri, Forcat Mbrojtëse të Izraelit do ta bëjnë këtë”- tha ministri Gantz.
Këtë javë ka pasur shtim të sulmeve me raketa e dronë të armatosur nga Hezbollahu, ndërsa aeroplanët luftarakë izraelitë janë kundërpërgjigjur shpejt.
Mediat shtetërore në Liban raportuan të mërkurën se një luftëtar i Hezbollahut dhe dy të afërm të tij ishin vrarë nga një sulm ajror izraelit.
Thuhet se nga sulmi u godit një shtëpi në Bint Jbeil, qytezë rreth dy kilometra larg kufirit me Izraelin.
Në një deklaratë të Hezbollahut thuhet se njëra nga viktimat, Ibrahim Baziz, ishte shtetas australian që po e vizitonte familjen e tij.
Më shumë se 100 njerëz janë vrarë në Liban, shumica luftëtarë të Hezbollahut, por në mesin e të vdekurve ka edhe civilë, përfshirë tre gazetarë.