Ministrat izraelitë e miratojnë planin për ta kapur tërë Gazën e për të qëndruar atje
Kabineti i sigurisë i Izraelit miratoi një plan për ta marrë nën kontroll tërë Rripin e Gazës dhe për të qëndruar në enklavën palestineze për një periudhë të pacaktuar kohore, thanë dy zyrtarë, sipas raportimit të agjencisë së lajmeve “Associated Press”.
Plani u miratua të hënën dhe është pjesë e përpjekjeve të Izraelit për ta shtuar presionin ndaj Hamasit që t’i lirojë pengjet dhe të negociojë një armëpushim sipas kushteve të Izraelit.
Dy zyrtarët thanë se plani e përfshin edhe zhvendosjen e qindra mijëra palestinezëve në jug të Gazës.
Zyrtarët folën në kushte anonimiteti, për shkak se po flisnin për plane ushtarake, transmeton gazeta “The Guardian”.
Ndërkohë punëtorët e shpëtimit në Gaza thanë se të paktën 19 njerëz u vranë gjatë natës së kaluar nga sulmet ajrore izraelite.
Izraeli e rinisi ofensivën ushtarake në Gaza më 18 mars pas ngërçit për të arritur një marrëveshje se si të vazhdohej tutje me një armëpushim dymujor, me të cilin ishin ndalur luftimet në enklavë.