Ministrat evropianë të premten në bisedime bërthamore me Iranin në Gjenevë - NACIONALE

Ministrat evropianë të premten në bisedime bërthamore me Iranin në Gjenevë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministrat e jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë planifikon që të mbajnë bisedime bërthamore me homologun e tyre iranian të premten në Gjenevë, i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” një burim diplomatik gjerman.

Ministrat së pari do të takohen me kryediplomaten e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, në misionin e përhershëm të Gjermanisë në Gjenevë, para se të zhvillojnë një takim të përbashkët me ministrin e Jashtëm të Iranit, Abbas Araghchi, tha burimi.

Nisma evropiane vjen në kohën e frikës për përshkallëzim të konfliktit në Lindjen e Mesme, pasi Izraeli nisi sulme të gjera ushtarake ndaj Iranit javën e kaluar, ndërsa Teherani u kundërpërgjigj me disa valë raketash drejt caqeve izraelite.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nuk ka treguar nëse vendi i tij do t’i bashkohet Izraelit në fushatën ushtarake, duke e nxitur shqetësimin se kriza mund të përshkallëzohet.

Qëllimi i bisedimeve mes Iranit dhe evropianëve, për të cilat burimi gjerman tha se janë duke ndodhur në bashkërendim me Shtetet e Bashkuara, është që pala iraniane të bindet për të garantuar në mënyrë të vendosur se do ta shfrytëzojë programin e saj bërthamor vetëm për qëllime civile.

Sipas burimit, këto bisedime do të pasohen nga një dialog i strukturuar në nivel të ekspertëve.

Izraeli ka thënë se qëllimi i tij është që ta eliminojë aftësinë e Iranit për të zhvilluar armë bërthamore. Teherani mohon se programi i tij bërthamor është për qëllime ushtarake.

Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka folur në përkrahje të sulmit të Izraelit dhe e ka zemëruar Iranin këtë javë, duke thënë se iranianët duhet t’i ulin tensionet ose të ballafaqohen me rrezikun e një shkatërrimi edhe më të madh.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, të mërkurën u bëri thirrje udhëheqësve iranianë që të punojnë drejt një zgjidhjeje e cila do të përfshinte garanci për programin bërthamor, duke u thënë: “Nuk është kurrë tepër vonë për t’u ulur në tavolinën e bisedimeve.”/Nacionale

Lajme të ngjashme