Ministrat e BE-së miratojnë fond të ri 150-miliardësh për armët - NACIONALE

Ministrat e BE-së miratojnë fond të ri 150-miliardësh për armët

1 vit më parë

nga NACIONALE

Bashkimi Evropian të martën e miratoi themelimin e një fondi armësh me vlerë të 150 miliardë eurove, i nxitur nga frika për një sulm nga Rusia viteve të ardhshme dhe nga dyshimet për përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj kontinentit të vjetër në fushën e sigurisë.

Miratimi i këtij fondi nga ministrat e vendeve të BE-së në Bruksel ishte hapi i fundit ligjor për themelimin e skemës Veprimi për Sigurinë për Evropën (SAFE), duke përdorur hua të përbashkëta të BE-së për t’u dhënë borxhe shteteve evropiane për projekte të përbashkëta të mbrojtjes, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ky vendim u mbështet nga 26 prej 27 shteteve të Bashkimit Evropian. Vetëm Hungaria abstenoi, thanë diplomatët.

“Ne e miratuam SAFE-në – programi i parë investues në mbrojtje i shkallës së lartë në nivel të BE-së” – tha Polonia, e cila është duke e mbajtur presidencën e përkohshme të Bashkimit Evropian.

“Sa më shumë që investojmë në sigurinë tonë, aq më mirë i frenojmë ata që duan të na dëmtojnë” – thuhet më tej në deklaratë.

Komisioni Evropian, organ ekzekutiv i BE-së, e kishte propozuar këtë fond në mars, në kohën e shtimit të frikës në mesin e udhëheqësve evropianë se nuk mund të jenë të sigurt se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, do t’i mbrojë vendet e tyre nga ndonjë sulm i mundshëm.

Rusia e ka dënuar nismën e Bashkimit Evropian për armatosje, duke e cilësuar si nxitje për luftë e të mbështetur në një “rrëfim të shpikur” për rrezikun rus./Nacionale

Lajme të ngjashme