Miliona myslimanë festojnë Bajramin e Kurbanit në botë
Miliona myslimanë në mbarë botën po e festojnë festën e Bajramit të Kurbanit të shtunën - njërën nga festat më të mëdha në kalendarin islam.
"Çdokush dëshiron që të sakrifikojë një kafshë në emër të Allahut, por ata nuk munden, sepse janë të varfër", tha Mohammad Nadir në një treg gjedhesh në Mazar-e-Sharif, në veri të Afganistanit.
Shumë myslimanë e festojnë këtë festë duke therur kurban dhe duke e shpërndarë mishin te familjarët, miqtë dhe të varfrit. Në kampin e refugjatëve, "al-Shati", në perëndim të Gazës, fëmijë të gëzuar prisnin në radhë për të marrë mish kurbani.

Në Afganistanin e varfër, zakonisht ka shumë njerëz që nguten për të blerë kafshë para festës. Megjithatë, këtë vit, inflacioni i lartë dhe shkatërrimi ekonomik pas ardhjes së talibanëve në pushtet e ka bërë të paarritshme blerjen e kurbanit për shumë afganë.
"Vitin e kaluar, shita 40 deri në 50 gjedhe. Këtë vit, kam arritur që të shes vetëm dy", tha Mohammad Qassim, shitës afgan.
Në një treg kafshësh në Rripin e Gazës, kishte shumë pak blerës. Shitësit thanë se çmimi i deleve është katërfishuar në javët e fundit.

"Jeta jonë është plot humbje", u ankua Abu Mustafa, shitës delesh në pjesën qendrore të Gazës, zonë që për një kohë të gjatë vuan nga varfëria e mungesa e vendeve të punës.
Përpos therjes së kurbanëve, myslimanët e bënë edhe faljen e Bajramit, nga Kenia në Rusi, nga Maroku në Turqi. "Ndihem shumë i gëzuar që tërë këta njerëz erdhën për t'u falur. Ka dashuri dhe pranim mes njerëzve", tha Sahar Mohamed në Kairo.
Bajrami i Kurbanit festohet pas përfundimit të pelegrinazhit të haxhillëkut, i cili, sipas fesë islame, është i detyrueshëm për t'u kryer të paktën një herë në jetë për të gjithë besimtarët që janë të shëndoshë dhe që kanë mundësi financiare./Nacionale