Miliona gomarë theren çdo vit për të bërë një lloj ilaçi shumë të kërkuar në Kinë - NACIONALE

Miliona gomarë theren çdo vit për të bërë një lloj ilaçi shumë të kërkuar në Kinë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Për të shitur ujë e për t’i mbuluar shpenzimet e jetesës, Steve mbështetej tërësisht te gomarët e tij. Ata e tërhiqnin në karrocën e ngarkuar me 20 enë dhe e dërgonin te të gjithë klientët e tij. Kur gomarët e tij u vodhën për t’ua marrë lëkurën, Steve nuk mund të punonte më.

Ajo ditë nisi si të gjitha të tjerat. Në mëngjes, Steve doli nga shtëpia e tij në periferi të Nairobit dhe shkoi në fushë për t’i marrë kafshët e veta, raporton televizioni BBC.

“Nuk mund t’i shihja. Kërkova tërë ditën, tërë natën dhe ditën e nesërme” – sjell ndër mend ai. Tri ditë më vonë, Steve pranoi një telefonatë nga një mik që i tha se i kishte gjetur eshtrat e gomarëve të tij. “Ata ishin vrarë, ishin prerë dhe lëkura u ishte marrë” – tha ai.

Hajdutët e gomarëve janë bërë gjithnjë më të rëndomtë në shumë pjesë të Afrikës – dhe në pjesë të tjera të botës që kanë numër të madh të këtyre kafshëve të punës. Steve – dhe gomarët e tij – janë dëm kolateral në një tregti kundërthënëse globale të lëkurës së gomarit.

Prejardhja e kësaj tregtie është mijëra kilometra larg asaj fushe në Kenia. Në Kinë, një ilaç i mjekësisë tradicionale, që përgatitet me xhelatinën që ndodhet në lëkurën e gomarit, po kërkohet shumë. Ky ilaç quhet “Ejiao”.

Besohet se ilaçi ka veti për përforcimin e shëndetit dhe ruajtjen e rinisë. Lëkura e gomarit zihet për t’ia nxjerrë xhelatinën, e cila pastaj shndërrohet në pluhur, pilula ose lëng, ose shtohet në ushqim.

Aktivistët kundër kësaj tregtie thonë se njerëzit si Steve – dhe gomarët në të cilët mbështeten ata – janvë viktima të një kërkese të paqëndrueshme për përbërësin tradicional të “Ejiao”-s.

Në një raport të ri, organizata “Donkey Sanctuary”, e cila ka bërë fushatë kundër kësaj tregtie nga viti 2017, vlerëson se të paktën 5,9 milionë gomarë në nivel global theren çdo vit për ta siguruar përbërësin e ilaçit “Ejiao”. Sipas kësaj organizate, kërkesa është duke u rritur, edhe pse televizioni BBC nuk ka mundur t’i vërtetojë në mënyrë të pavarur ato shifra.

Është shumë vështirë që të sigurohet një pamje e saktë se sa gomarë saktësisht theren për ta furnizuar industrinë e këtij ilaçi.

Në Afrikë, ku jetojnë rreth dy të tretat e 53 milionë gomarëve të botës, ekziston laramani e rregullave. Eksportimi i lëkurës së gomarit është i ligjshëm në disa shtete e i ndaluar në disa të tjera. Megjithatë, kërkesa e lartë dhe çmimet e larta për lëkurën e kësaj kafshe e nxisin vjedhjen e gomarëve dhe organizata “Donkey Sanctuary” thotë se ka zbuluar dërgim të gomarëve matanë kufijve ndërkombëtarë për të arritur në vende ku tregtia është e lejuar.

Megjithatë, së shpejti mund të vijë një pikë kthese, pasi qeveritë se secilit shtet afrikan si dhe Qeveria e Brazilit pritet t’i ndalojnë therjen dhe eksportimin e gomarëve si reagim ndaj tkurrjes së numrit të tyre.

Duke folur për këtë vendim të mundshëm në mbarë Afrikën, Steve thotë se shpreson që kjo masë do ta ndihmojë mbrojtjen e kafshëve, “ose gjenerata e ardhshme nuk do të ketë gomarë”.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme