Mijëra rumunë protestojnë kundër anulimit të zgjedhjeve presidenciale
Mijëra rumunë protestuan të premten para Gjykatës Kushtetuese të Rumanisë kundër vendimit të dhjetorit për anulimin e zgjedhjeve presidenciale, rundin e parë të të cilave e fitoi një kandidat pak i njohur me qëndrime pro-ruse.
Edhe pse të vogla, protestat kanë qenë duke vazhduar nga 6 dhjetori, kur Gjykata Kushtetuese i shpalli të pavlefshme zgjedhjet presidenciale vetëm dy ditë para balotazhit. Vendimi erdhi pasi në dokumente shtetërore tregohej se favorite Calin Georgescu kishte përfituar nga një fushatë e padrejtë në rrjete sociale që me gjasë ishte orkestruar nga Rusia, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Moska ka mohuar ndonjë ndërhyrje në zgjedhjet e Rumanisë. Vendimi për t’i anuluar zgjedhjet e dobësoi edhe më tej besimin e publikut në institucionet shtetërore, i polarizoi votuesit e zemëruar me luftën e brendshme të partive tradicionale dhe akuzat për ryshfet, si dhe i fuqizoi partitë djathtiste e ultranacionaliste, të cilat tani e kanë më shumë se një të tretën e deputetëve.
Avokati i Georgescu-t të premten dorëzoi një kërkesë që Gjykata Kushtetuese ta rikthejë në fuqi rezultatin e zgjedhjeve. Georgescu, i cili nuk ishte i pranishëm, iu bëri thirrje përkrahësve të tij që t’i bashkoheshin grupit.
Rreth katër mijë mbështetës u grumbulluan para Gjykatës Kushtetuese me një arkivol të improvizuar mbi të cilin ishte shkruar fjala “demokraci”.
Ata valëvitën flamuj kombëtarë, në duar mbanin ikona të Krishterimit dhe fotografi të Georgescu-t, ndërsa brohorisnin “duam të votojmë” dhe “kthejeni balotazhin”.
Koalicioni qeveritar këtë javë u pajtua për përsëritjen e zgjedhjeve presidenciale me dy runde më 4 dhe 18 maj, gati gjashtë muaj pas datës së anulimit të zgjedhjeve./Nacionale