Mësuesit në Serbi në grevë e protestë për paga, e refuzojnë ofertën e Qeverisë - NACIONALE

Mësuesit në Serbi në grevë e protestë për paga, e refuzojnë ofertën e Qeverisë

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Procesi mësimor në shumë shkolla në Serbi u anulua ose u ndërpre para kohës së rregullt të premten, pasi mësuesit dolën rrugëve për të kërkuar paga më të larta.

Mësuesit në Serbi ankohen se paguhen më pak në krahasim me punëtorët e tjerë të sektorit publik dhe për përkeqësim të kushteve të punës, përfshirë dhunën në shkolla. Shumë mësues protestuan para Kuvendit në Beograd në një protestë të udhëhequr nga sindikatat, raporton agjencia “Reuters”.

“Shteti që ka qëndrim të tillë ndaj arsimit është shtet i pasuksesshëm që… nuk mund të përparojë në asnjë mënyrë” – tha Ana Dimitrijeviq, aktiviste sindikatash.

Në një deklaratë, Ministria e Arsimit tha se rreth gjysma e shkollave po e vazhdonin punën normalisht të premten, ndërsa pjesa tjetër e kishin shkurtuar procesin mësimor ose e kishin anuluar atë.

Sindikatat kërkojnë që paga fillestare në tërë sektorin e arsimit duhet të jetë në përputhje me pagën mesatare prej rreth 97 mijë dinarësh (rreth 830 euro).

Qeveria serbe ka ofruar rritje prej 11 për qind të pagës për mësuesit duke filluar nga janari si dhe një pagesë të njëhershme prej 15 mijë dinarësh (rreth 130 euro), por sindikatat kanë thënë se kjo nuk mjafton dhe e kanë refuzuar ofertën.

Lajme të ngjashme