Mes përçarjesh, Franca miraton ligj të ashpër kundër emigrantëve, jep dorëheqje ministri i Shëndetësisë
Qeveria franceze është duke u ballafaquar me një krizë politike, pasi ministri i Shëndetësisë, Aurelien Rousseau, dha dorëheqje si protestë kundër një ligji të ashpër për emigrantë.
Partia e presidentit Emmanuel Macron ishte e përçarë të mërkurën, pasi një ligj i ri për emigrantë u miratua nga deputetët, por ai përmban aq shumë masa të ashpra, saqë politikania e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, pretendoi se kjo masë është “fitore ideologjike” për platformën e saj kundër emigrantëve, raporton gazeta “The Guardian”.
Ministri Rousseau menjëherë e ofroi dorëheqjen si shenjë proteste kundër këtij ligji, por kryeministrja Elisabeth Borne nuk tregoi nëse do ta pranonte atë. Qe e paqartë nëse edhe ministra të tjerë do ta ofronin dorëheqjen.
Qëllimi fillestar i projektligjit ishte që të dëshmonte se Macroni do të mund të merrte masa të ashpra ndaj emigrantëve dhe, në të njëjtën kohë, ta mbante Francën të hapur ndaj punëtorëve të huaj që do të mund ta ndihmonin ekonominë në sektorët që kanë vështirësi për t’i plotësuar vendet e lira të punës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Gerald Darmanin, kishte argumentuar se ky projektligj “i mbron francezët”, duke thënë se qeveria ishte detyruar që të ndërmarrë masa të ashpra ndaj emigrantëve për ta frenuar rritjen e partisë së të djathtës ekstreme të Le Penit, e cila tani është partia më e madhe opozitare në kuvend dhe po del e para në sondazhe para zgjedhjeve evropiane të vitit të ardhshëm.
Megjithatë, pasi partitë opozitare refuzuan edhe të debatonin për projektligjin kundër emigrantëve në kuvend javën e kaluar, një tekst kompromisi u hartua shpejt nga një komision i posaçëm parlamentar. Si rezultat, qeveria çoi përpara një projektligj shumë më të ashpër, me të cilin u pakësuan përfitimet e mirëqenies për të huajt, u ashpërsuan rregullat për studentët e huaj, u vendosën kuota për emigrantë, u vështirësua marrja e shtetësisë franceze për fëmijët e personave të lindur në Francë e pa shtetësi franceze dhe u vendos që personat me shtetësi të dyfishtë, të dënuar për krime serioze kundër policisë, mund ta humbin shtetësinë franceze.
Edhe brenga grupit parlamentar të Macronit, shumë deputetë votuan kundër ligjit të ri ose abstenuan, duke vënë në pah përçarje të thella sidomos në të majtën e partisë së Macronit.
Zonja Le Pen, kryetare e partisë me qëndrime kundër emigrantëve, tha se partia e saj do ta përkrahë këtë ligj, duke e quajtur “fitore ideologjike”.
Në një pjesë kyçe të ligjit thuhet se disa përfitime të sigurisë sociale për të huajt duhet të kushtëzohen me banimin për pesë vjet në Francë ose për 30 muaj për ata që kanë vende pune.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli