Merzi i thotë Zelenskyt se të rinjtë ukrainas i nevojiten atdheut, e jo të vijnë në Gjermani
Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, i tha presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se ai duhet të sigurohet që burrat e rinj nga Ukraina nuk do të vijnë në Gjermani në shifra të mëdha, në atë që ai tha se ishte bisedë telefonike “e gjatë” mes dy udhëheqësve të enjten.
“Ata nevojiten atje” – tha kancelari gjerman në një kongres për tregtinë në Berlin, duke iu referuar të rinjve ukrainas, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Shtetet e Bashkimit Evropian në shtator regjistruan 79 mijë e 205 refugjatë ukrainas, numri më i lartë mujor që nga gushti i vitit 2023, sipas Eurostat-it.
Agjencia e BE-së e citoi si arsye për këtë rritje vendimin e Ukrainës në gushtin e këtij viti që burrave të moshës 18 deri 22-vjeçare t’u lejohej largimi nga vendi.
Më shumë se 1,2 milion refugjatë ukrainas, ose 28,3 për qind e numrit të përgjithshëm në BE, tani për tani janë të strehuar në Gjermani, tha këtë javë në një deklaratë agjencia e BE-së për statistika.
Qeveria gjermane gjithashtu planifikon që t’i përshtatë benefitet që u jepen refugjatëve ukrainas në atë mënyrë që “masat nxitëse për të punuar t’ia marrin anën masës nxitëse për të qëndruar si pjesë e sistemit të mirëqenies” – tha Merzi.
Sipas projektligjit të ri, i cili pritet të miratohet nga kabineti qeveritar javën e ardhshme, ukrainasit që kanë shkuar në Gjermani pas 1 prillit të këtij viti do të marrin benefite sipas një ligji që ofron pagesa më të ulëta, në vend të skemës që përdoret aktualisht.
Qasja e menjëhershme në tregun e punës do të mbetet në fuqi. Të qasshme do të mbeten edhe shërbimet konsultuese si dhe ofertat për punë.
Gjatë telefonatës, Merzi gjithashtu e diskutoi skandalin në fushën e energjisë që e ka kapluar Qeverinë e Ukrainës, tha më herët të enjten një zëdhënës qeveritar gjerman./Nacionale