Merzi i mbështet planet për ngritjen e moshës së pensionimit në 70 vjeç
Gjermania do ta rrisë gradualisht moshën e pensionimit në rreth 70 vjeç deri në fillim të viteve 2090 sipas rekomandimeve të mbështetura nga kancelari Friedrich Merz.
Duke i paraqitur të gjeturat e veta të martën, një komision ekspertësh, i themeluar për të eksploruar reforma në sistemin pensional, tha se mosha e daljes në pension duhet të lidhet me rritjen e jetëgjatësisë dhe dalja e hershme në pension duhet të hiqet, shkruan gazeta “The Guardian”.
“Asnjë qytetar nuk duhet të brengoset” – tha Merzi, duke shtuar se këto masa do ta parandalojnë shembjen e sistemti pensional dhe do ta fuqizojnë kontratën sociale mes gjeneratave. Sipas tij, të rinjve do t’u jepet një “arsye për optimizëm” përmes këtyre masave, që do të “largonin një barrë shumë të madhe” nga supet e tyre.
Komisioni i ekspertëve ka zhvilluar mbledhje të gjata të përditshme nga janari derisa e paraqiti planin 33-pikësh të martën.
Në mesin e rekomandimeve kyçe të komisionit është që kontributet e detyrueshme të punëtorëve dhe punëdhënësve të investohen në tregun e aksioneve me qëllim që të rritet dhe të ruhet vlera e fondit për gjeneratat e ardhshme. U propozua edhe zgjerimi i kontributeve të detyrueshme pensionale, më saktësisht përfshirja e shërbyesve civilë dhe të vetëpunësuarve.
Mosha aktuale e pensionimit për të gjithë ata që do të pensionohen në fillim të viteve 2030 në Gjermani është mosha 67-vjeçare, prag i caktuar rreth dy dekada më parë. Paneli tha se kjo moshë duhet të rritet gradualisht, në vijë me jetëgjatësinë, duke shkuar në rreth 70 vjeç në fillim të viteve 2090.
Gjermania e ka njërën nga popullsitë me plakjen më të shpejtë në botë dhe, njësoj si shumë shtete të tjera perëndimore, është ballafaquar me sfidën se si të sigurohet që sistemi pensional të ketë të ardhme, kur gjithnjë më pak punëtorë po i financojnë pensionet e pensionistëve gjithnjë më të shumë e me jetë gjithnjë më të gjatë.