Merz: Ukrainës do t’i nevojitet ushtri e fortë pas çfarëdo pakti të paqes
Ukraina do të ketë nevojë për forca të armatosura të fuqishme dhe garanci të sigurisë pas çfarëdo marrëveshjeje të paqes me Rusinë dhe Kievi nuk duhet të detyrohet që të dorëzojë territore, tha të enjten kancelari gjerman, Friedrich Merz.
Duke theksuar se interesat evropiane dhe ukrainase të sigurisë janë në pyetje, kancelari tha se për garancitë e sigurisë po diskutohet me Shtetet e Bashkuara dhe Ukrainën, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ukraina ka nevojë për forca të armatosura të fuqishme dhe, nëse arrihet një marrëveshje e paqes... Ukraina do të vazhdojë që të ketë nevojë për forca të armatosura të fuqishme dhe garanci të besueshme të sigurisë nga partnerët e saj” – tha Merzi në një konferencë për gazetarë me homologun nga Estonia.
Sipas tij, garancia më e rëndësishme është një ushtri ukrainase e pajisur mirë.
“Për këtë arsye, ne do ta diskutojmë edhe cakun e madhësisë së ushtrisë ukrainase në të ardhmen” – tha Merzi, duke shtuar se është shumë herët për të diskutuar ndonjë dislokim të trupave ndërkombëtare.
Shtetet evropiane kanë këmbëngulur se kufiri i numrit të ushtarëve të Ukrainës duhet të jetë 800 mijë, e jo 600 mijë.
Kancelari gjerman gjithashtu tha se Ukraina nuk duhet të detyrohet që të pranojë koncesione territoriale dhe se vija e frontit duhet të jetë pikënisje e çfarëdo negociate./Nacionale