Merz: Duhet të bëhemi më të pavarur, sidomos në teknologji – edhe nga ShBA-ja
Evropa nuk mund t’ia lejojë vetes që të jetë sentimentale në marrëdhëniet e saj me Uashingtonin gjithnjë më armiqësor, ka thënë kancelari gjerman, Friedrich Merz.
Duke folur në selinë qendrore të “Deutsche Boerse Group”, e cila e operon Bursën e Frankfurtit, Merzi i bëri thirrje Evropës që të bëhet më e pavarur nga aleati tradicional dhe argumentoi se gjërat që dikur ishin të sigurta nuk qëndrojnë më, transmeton gazeta “The Times of Israel”.
“Ne duhet të bëhemi më sovranë dhe më të pavarur, sidomos në aspektin e teknologjisë dhe po, kjo vlen edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës” – deklaroi kancelari gjerman.
Merzi tha se Evropa duhet të përshtatet me “një pjesë të re të realitetit me të cilin ballafaqohemi”.
“Marrëdhëniet transaltantike kanë ndryshuar. Askush në këtë sallë nuk e thotë këtë me më shumë keqardhje se unë, por nostalgjia dhe kujtimet për kohërat e mira që kanë kaluar nuk ndihmojnë” – shtoi ai.
Paralajmërimet e presidentit amerikan, Donald Trump, se vendi i tij mund ta aneksojë Grenlandën, territor autonom i Danimarkës, i ka shtangur udhëheqësit evropianë.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka quajtur këtë episode “thirrje për zgjim strategjik për tërë Evropën, ndërsa komisioneri i BE-së për energji, Dan Jorgensen, paralajmëroi se blloku rrezikon që të bëhet i varur nga importet e gazit natyror të lëngëzuar nga Shtetet e Bashkuara.