Merret vesh pse ishte ngritur niveli i sigurisë në bazën ajrore të NATO-s në Gjermani
Ngritja e nivelit të vigjilencës javën e kaluar në një bazë ajrore të NATO-s në Gjermani, ku ndodhet flota e aeroplanëve vëzhgues AWACS të aleancës perëndimore, ishte bërë për shkak të një rreziku potencial nga dronët, tha të hënën një burim i sigurisë.
Baza ajrore në Geilenkirchen, në perëndim të Gjermanisë, e kishte ngritur nivelin e sigurisë në “Charlie” – niveli i dytë më i lartë nga katër shkallë të mundshme, gjatë pjesës më të madhe të ditës së premte, raporton agjencia “Reuters”.
Agjencia gjermane e lajmeve, DPA, duke cituar burime të sigurisë, tha se ishte një informatë nga një shërbim i huaj i inteligjencës për një akt të mundshëm rus të sabotimit.
Megjithatë, burimi i sigurisë i tha agjencisë “Reuters” se nuk ishte parë ndonjë dron dhe se nuk mund të konfirmonte ndonjë dëshmi për një rol të Rusisë.
“Fjala Rusi nuk u përmend asnjëherë. Ne folëm për një rrezik të shkaktuar nga dronët” – shtoi një zëdhënës i NATO-s në Geilenkirchen.
Zyra për shtyp e Qeverisë së Gjermanisë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe ambasada ruse në Berlin nuk e komentuan menjëherë raportimin medial për një rrezik nga Rusia.
Forcat perëndimore janë në gjendje të vigjilencës së lartë pas raportimeve të gjera nga shërbimet e inteligjencës dhe mediat perëndimore për akte të mundshme ruse të sabotimit kundër shteteve që e përkrahin Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë.
Rusia, që e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, i ka hedhur poshtë këto pohime dhe e akuzon Perëndimin për agresion ndaj saj.
Javën e kaluar, edhe baza në Geilenkirchen e ngriti nivelin e sigurisë, pasi një bazë e afërt ushtarake ishte izoluar përkohësisht, përderisa autoritetet po hetonin sabotim të mundshëm në sistemin e furnizimit me ujë./Nacionale