Meloni e Italisë: Lufta në Gaza ka shkuar përtej parimit të proporcionalitetit - NACIONALE

Meloni e Italisë: Lufta në Gaza ka shkuar përtej parimit të proporcionalitetit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sulmi i Izraelit këtë javë ndaj një spitali në qytetin Khan Younis të Gazës, ku u vranë pesë gazetarë, është i pajustifikueshëm, tha kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, duke shtuar se lufta në enklavë “ka shkuar përtej parimit të proporcionalitetit”.

“Ne e dënojmë vrasjen e pajustifikueshme të gazetarëve, sulm i papranueshëm ndaj lirisë së shtypit dhe ndaj të gjithë atyre që e rrezikojnë jetën e vet për të raportuar rreth tragjedisë së luftës” – tha zonja Meloni gjatë një fjalimi vjetor në festivalin katolik në Rimini të Italisë, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

“Ne nuk ngurruam për asnjë minutë të vetme që ta përkrahnim të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur pas tmerreve të masakrës së 7 tetorit (2023), por nuk mund të qëndrojmë të heshtur tani përballë një reagimi që ka shkuar përtej parimit të proporcionalitetit, duke shkaktuar shumë viktima civile dhe madje duke përfshirë komunitete të krishtera”- shtoi Meloni.

Sipas saj, Italia është “duke e riafirmuar rolin e vet” në Gaza, duke e vënë në pah përfshirjen në evakuimet mjekësore nga enklava. “Janë ata që simulojnë dhe ata që shpëtojnë fëmijë. Unë jam krenare që i përkas grupit të dytë” – tha kryeministrja italiane.

Ushtria izraelite tha të martën se hetimi fillestar për sulmin vdekjeprurës të së hënës në spitalin “Naser” tregon se Hamasi kishte instaluar një kamerë vëzhgimi në hapësirat e spitalit dhe se gjashtë prej mbi 20 të vrarëve ishin operativë terrori, përfshirë një që mori pjesë në masakrën e 7 tetorit të vitit 2023 në jug të Izraelit.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit përsëri shprehën keqardhje për viktimat civile dhe thanë se nuk i kanë në shënjestër gazetarët, ndërkohë duke e akuzuar Hamasin se “në mënyrë cinike” i shfrytëzon objektet shëndetësore për qëllime ushtarake./Nacionale

Lajme të ngjashme