Meloni e Italisë bën thirrje për tregti të baraspeshuar BE – Kinë gjatë takimit me Xinë - NACIONALE

Meloni e Italisë bën thirrje për tregti të baraspeshuar BE – Kinë gjatë takimit me Xinë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, i tha të hënën presidentit kinez, Xi Jinping, se ekonomia e tretë më e madhe e eurozonës luan rol të rëndësishëm në marrëdhëniet e Kinës me BE-në, përderisa synoi që t’i rivendoste lidhjet ekonomike të vendit të saj me Pekinin.

Meloni ishte duke folur në një takim me presidentin kinez gjatë një vizite në kryeqytetin kinez, pasi Italia doli vitin e kaluar nga Nisma “Rripi dhe Rruga” e Xisë dhe në kohën e përkeqësimit të lidhjeve tregtare mes bllokut dhe ekonomisë së dytë më të madhe në botë, raporton agjencia “Reuters”.

Kryeministrja italiane i tha Xisë se vendi i saj “mund të... luajë një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian”, kur dy udhëheqësit u takuan në Shtëpinë Shtetërore të Mysafirëve “Diaoyutai” në Pekin.

Meloni pastaj i tha presidentit kinez se ajo shpreson që të “krijojë marrëdhënie tregtare që janë sa më të baraspeshuara që është e mundshme”.

Politika tregtare e Bashkimit Evropian është bërë gjithnjë më mbrojtëse për shkak të shqetësimit se modeli zhvillimor kinez i përqendruar në prodhim mund ta vërshojë bllokun me mallra të lira, pasi kompanitë kineze po synojnë që ta shtojnë eksportin për shkak të kërkesës së dobët brenda vendit.

Komisioni Evropian këtë muaj konfirmoi se do të vendoste taksa preliminare në vlerë të deri 37,6 për qind të importeve të automjeteve elektrike të prodhuara në Kinë, duke i shtuar tensionet me Pekinin.

Zyrtarët kinezë kanë paralajmëruar për luftë të mundshme tregtare, nëse Brukseli nuk sprapset dhe vazhdon që të shënjestrojë pjesë të tjera të ekonomisë së saj me vlerë të 18,6 trilionë dollarëve.

Pekini është gjithashtu duke lobuar te shtetet e BE-së që të kundërshtojnë taksa të reja ndaj automjeteve elektrike kineze gjatë një votimi në tetor, edhe pse Italia, Spanja dhe Franca kanë dhënë shenjë se do t’i përkrahin tarifat.

Lajme të ngjashme