Meksika dislokon 10 mijë trupa të Gardës Kombëtare në kufi pas kërcënimit të Trumpit me taksa
Një vijë e kamionëve të ushtrisë dhe të Gardës Kombëtare të Meksikës lëviznin përgjatë kufirit që i ndan qytetet Ciudad Juarez dhe El Paso të mërkurën, në mesin e 10 mijë trupave të para që Meksika i ka dërguar në kufirin verior pas kërcënimeve me taksa të presidentit amerikan, Donald Trump.
Veprimi vjen pas një jave me turbulence përgjatë kufirit, pasi Trumpi njoftoi se do ta shtynte fillimin e zbatimit të taksave ndaj Meksikës për të paktën një muaj. Në këmbim, presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum, premtoi se do ta dërgonte Gardën Kombëtare për ta përforcuar kufirin dhe për ta shtypur trafikimin e fentanilit, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Trumpi ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në kufi, edhe pse nivelet e emigrantëve dhe mbidozave të fentalinit kanë shënuar rënie të konsiderueshme vitin e fundit. Në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të bëjnë më shumë për parandalimin e trafikimit të armëve amerikane drejt Meksikës për ta luftuar dhunën nga kartelet e drogës, e cila është përhapur edhe në pjesë të tjera të vendit, kur grupet kriminale po luftojnë për ta kontrolluar industrinë fitimprurëse të trafikimit të emigrantëve.
Të martën, trupat e para prej këtyre forcave arritën në qytetet kufitare, duke dalë nga aeroplanë qeveritarë. Anëtarë të Gardës Kombëtare në patrullimin e së mërkurës konfirmuan se ata ishin pjesë e një force të re.
“Do të ketë vëzhgim të përhershëm në kufi” – tha Jose Luis Santos Iza, njëri nga udhëheqësit e Gardës Kombëtare që po e drejton dislokimin në qytet. “Ky operacion është kryesisht për ta parandaluar trafikimin e drogës nga Meksika drejt Shteteve të Bashkuara, kryesisht fentanilin” – shtoi ai.
Të paktën 1.650 trupa pritet të dërgohen në Ciudad Juarez, sipas shifrave qeveritare, duke e bërë këtë njërin nga qytetet me numrin më të madh të përforcimeve kufitare në Meksikë, pas Tijuana-s, ku pritet të dërgohen rreth 1.950 ushtarë.
Gjatë vizitës së sekretarit të Shtetit të ShBA-së, Marco Rubio, nëpër Amerikën Latine – ku emigrantët ishin në krye të agjendës – kryediplomati amerikan e falënderoi Qeverinë e Meksikës për këto forca, sipas një deklarate të Qeverisë meksikane./Nacionale