Meksika dhe Kili i drejtohen GjNP-së për konfliktin Izrael – Hamas, dyshojnë për krime - NACIONALE

Meksika dhe Kili i drejtohen GjNP-së për konfliktin Izrael – Hamas, dyshojnë për krime

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Meksika dhe Kili të enjten shprehën “shqetësim në rritje” për “eskalimin e dhunës” pas disa muajve luftë mes Izraelit dhe Hamasit në një shkresë drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare Penale për krime të mundshme.

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Meksikës argumentoi se GjNP-ja është organi i duhur për të kërkuar përgjegjësi të mundshme kriminale, “qoftë të kryer nga agjentët e fuqisë pushtuese, qoftë nga fuqia e pushtuar”, raporton agjencia “Reuters”.

“Veprimi nga Meksika dhe Kili është për shkak të shqetësimit në rritje rreth eskalimit të fundit të dhunës, sidomos kundër caqeve civile”- thuhet më tej në deklaratë.

Izraeli nuk është anëtar i gjykatës me seli në Hagë dhe nuk e njeh juridiksionin e saj. Megjithatë, prokurori i GjNP-së ka theksuar se ky organ ka juridiksion për krime të mundshme të luftës që mund të jenë kryer nga militantët e Hamasit në Izrael dhe nga ushtria izraelite në Gaza.

Meksika përmendi “raporte të shumta nga Kombet e Bashkuara që japin hollësi për shumë incidente që mund të përbëjnë krime nën juridiksionin e GjNP-së”.

Ministri i Jashtëm i Kilit, Alberto van Klaveren, u tha gazetarëve të enjten në Santiago se vendi i tij “është i interesuar për ta përkrahur hetimin rreth cilitdo krim lufte të mundshëm”, kudo që ai mund të ndodhë.

Meksika tha se është duke e ndjekur për së afërmi rastin e paraqitur javën e kaluar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, në të cilin Afrika e Jugut e akuzoi Izraelin për kryerje të gjenocidit në Gaza dhe kërkoi që kjo gjykatë të jepte urdhër për pezullim urgjent të fushatës ushtarake izraelite. Izraeli e ka mohuar këtë akuzë.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale trajtonte raste ku dyshohet për gjenocid. E para i zgjidh mosmarrëveshjet mes shteteve, ndërsa e dyta ndjek penalisht individë për krime të dyshuara.

Lajme të ngjashme