Medvedevi thotë se Rusia ka armë të mjaftueshme
Ish-presidenti rus, Dmitry Medved, të martën iu kundërpërgjigj raporteve perëndimore se Rusia po mbetet me pak rezerva të raketave dhe artilerisë, duke thënë se ato janë të mjaftueshme për t’i vazhduar luftimet në Ukrainë.
“Kundërshtarët tanë janë duke shikuar, herë pas here bëjnë deklarata që ne nuk e kemi këtë apo atë... Unë dëshiroj që t’i zhgënjej. Kemi mjaftueshëm nga gjithçka”- tha Medvedevi gjatë një vizite në një fabrikë të kallashnikovëve në Izhevsk, rreth një mijë kilometra në lindje të Moskës.
Në një video të publikuar në llogarinë e tij në rrjetin “Telegram”, zyrtari i lartë rus u pa duke inspektuar pushtë të tipit Kallashnikov, predha artilerie, raketa e dronë, raporton agjencia “Reuters”.
Disa zyrtarë ukrainas dhe perëndimorë kanë thënë se Rusia është duke u ballafaquar me mungesë të armëve pas shpenzimit të mijëra predhave të artilerisë e raketave në Ukrainë që nga fillimi i luftës para saktësisht 11 muajve.
Medvedevi u tha zyrtarëve gjatë vizitës se dronët po kërkohen veçanërisht shumë për atë që Moska e quan “operacion special ushtarak”.
Edhe Rusia, edhe Ukraina kanë përdorur dronë në shumë sulme që nga fillimi i luftës, sepse këto pajisje janë relativisht të lira, të sakta dhe vlerësohen si më të sigurta se aeroplanët me pilotë.
Irani e ka furnizuar Rusinë me dronë të ashtuquajtur “kamikazë” si dhe raketa tokë – ajër, duke rezultuar në sanksione të reja perëndimore ndaj Teheranit.
Medvedevi, që dikush shihej nga Perëndimi si shpresa më e madhe për riafrim me Moskën gjatë kohës së tij në pushtet në periudhën 2008 – 2012, është bërë njëri nga zërat më agresivë pro luftës në Rusi.
Pasi ishte larguar nga posti i presidentit më 2012 për t’ia hapur rrugën kthimit të Putinit në këtë pozitë, Medvedevi kishte shërbyer për gati tetë vjet si kryeministër para se të vendosej në një pozitë më të ulët në fillimin e vitit 2020.
Javën e kaluar, ai tha se humbja e Rusisë në Ukrainë do të mund të nxiste një luftë bërthamore.

