Medvedchuk kërkon të shkëmbehet me "mbrojtësit e Mariupolit"
Viktor Medvedchuk - njeriu që shihet si aleati më i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë ka kërkuar që të shkëmbehet me "mbrojtësit e Mariupolit dhe banorëve".
Qeveria ukrainase thotë se ka kryer tashmë disa shkëmbime të burgosurish me Rusinë, por asnjë nga shkëmbimet e kryera nuk do të ishin të një profili të lartë sa kjo me Medvedchuk, pasi që më parë Kremlini kishte thënë se nuk do të konsideronte një shkëmbim me të pasi ai është “politikan i huaj”.
Gruaja e tij Oksana Marchenko i ka bërë thirrje tashmë kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson që ta shkëmbejë burrin e saj me shtetasit britanikë të kapur nga Rusia në Mariupol. Ajo gjithashtu kërkoi nga të afërmit e tyre që të ushtrojnë ndikim tek ai.
Duket se Medvedchuk me kërkesën e tij për shkëmbim, beson se e ardhmja e tij do të vendoset më mirë në Rusi, sesa në një vend ku ai është në arrest shtëpiak për tradhti.
Kush është Medvedchuk?
Një biznesmen i pasur me lidhje të ngushta me liderin rus, për vite me radhë u tolerua në qarqet politike ukrainase sepse shihej si një kanal i rëndësishëm komunikimi me Kremlinin. Ai gjithashtu luajti një rol të rëndësishëm si ndërmjetës me separatistët e mbështetur nga Rusia, të cilët pushtuan zonat e Ukrainës lindore.

Ai është fotografuar rregullisht përkrah Vladimir Putinit - teksa shikonte një garë të Formula 1 në Soçi, në takimet e arteve marciale dhe duke pritur liderin rus në vilën e tij në Krime.Biznesmeni i pasur drejton partinë pro-ruse të opozitës Platforma - For Life në Ukrainë dhe vajza e tij e ka kumbarë Presidentin Putin.
Ai kishte qenë në arrest shtëpiak në kryeqytetin Kiev - por u arratis menjëherë pasi Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt.