Më shumë se 220 viktima nga vërshimet dhe rrëshqitja e dheut në Mianmar
Numri i njerëzve që kanë vdekur në Mianmar pas tajfunit “Yagi” ka shkuar në mbi 220, ndërsa gati 80 të tjerë janë ende të zhdukur, sipas qeverisë ushtarake.
Stuhia i preku pjesën veriore të Vietnamit, Laosin, Tajlandën dhe Mianmarin në fillim të shtatorit dhe ka shkaktuar më shumë se 500 viktima në rajon deri më tani, sipas shifrave zyrtare, raporton televizioni BBC.
Tajfuni shkaktoi vërshime të gjera e rrëshqitje dheu në Mianmar, duke lënë të paktën 226 të vdekur, pasi fshatra të tëra u prekën.
Kur mijëra hektarë të mbjella janë shkatërruar, OKB-ja gjithashtu ka paralajmëruar se mbi gjysmë milioni njerëz në vendin e përfshirë nga lufta kanë nevojë urgjente për ushqim, ujë, strehim e veshmbathje.
Sipas Kombeve të Bashkuara, stuhia ka prekur nëntë shtete e rajone, përfshirë kryeqytetin Naypyidaw si dhe Mandalay-n në veri, Magway-n në perëndim dhe Bago-n në jug, rajone që shtrihen përgjatë lumit më të madh të Mianmarit, Irraëady.
Kombet e Bashkuara thanë se këto vërshime janë ndër më të rëndat në historinë e vendit. Agjencia për menaxhimin e fatkeqësive e këtij shteti ka vlerësuar se rreth 630 mijë njerëz janë prekur nga vërshimet me rrugë të bllokuara, ura të dëmtuara e vija të dëmtuara të komunikacionit dhe të gjitha këto i kanë penguar përpjekjet për lehtësimin e gjendjes.
Agjencitë e ndihmave gjithashtu kanë pak ose nuk kanë fare qasje në shumë pjesë të vendit, përfshirë Shtetin Shan, njëri nga më të prekurit, që tashmë kontrollohet kryesisht nga rebelët.
Një shpëtimtar vullnetar në jug të atij rajoni i tha BBC-së se shtëpi të tëra ishin mbuluar me dheun që ka rrëshqitur.
“Ne kemi grumbulluar mbi 100 trupa të pajetë deri më tani, përfshirë fëmijë e të moshuar. Ende jemi duke kërkuar më shumë se 200 të tjerë” – shtoi ai.
“Këto vërshime janë më të këqijat që unë kam parë ndonjëherë në jetën time” – tha një banor në lindje të Shtetit Shan.
Qeveria ushtarake në fundjavë bëri një apel të rrallë për ndihmë, ndërsa India fqinje është i vetmi shtet që është përgjigjur deri më tani, duke dërguar ndihma si ushqimi, rrobat dhe ilaçet.
Tajfuni “Yagi” ka shkaktuar dhjetë viktima në Tajlandë e një në Laos. Numri i të vdekurve në Vietnam është 292, ndërsa 38 persona janë zhdukur./Nacionale