Me kërkesën e Trumpit, Rusia i ndal sulmet ndaj Kievit – deri të dielën
Rusia është pajtuar me kërkesën e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i ndalur sulmet ajrore ndaj Kievit deri më 1 shkurt, në kohën e acarit dimëror, ndërsa Ukraina tha se është e gatshme që të veprojë në të njëjtën mënyrë, kur Uashingtoni po shtyn përpara një zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund luftës.
Sidoqoftë, përderisa kryeqyteti ukrainas po përgatitet për një valë tjetër të acarit nga e diela, presidenti Volodymyr Zelensky tha të premten se nuk ka armëpushim formal mes dy vendeve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ai shtoi se Rusia tani po e godet logjistikën e Ukrainës, pasi ditëve të fundit i kishte bombarduar rrugët dhe hekurudhat e Ukrainës.
Kremlini tha se presidenti rus, Vladimir Putin, e ka pranuar kërkesën e homologut amerikan për ta ndalur bombardimin e Kievit dhe për të krijuar “kushte të favorshme” për bisedime të paqes.
Në javët e fundit, sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike në Kiev kanë lënë qindra mijëra njerëz pa ngrohje me ditë të tëra në kohën kur temperaturat kanë rënë nën minus 15 gradë Celsius.
“Presidenti Trump vërtet i bëri një kërkesë formale presidentit Putin për t’u përmbajtur nga sulmimi i Kievit për një javë deri më 1 shkurt me qëllim që të krijohen kushte të favorshme për bisedime” – tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke konfirmuar se Putini u pajtua.
Zelensky tha se Ukraina është e gatshme për të vepruar në të njëjtën mënyrë, duke i ndalur sulmet ndaj infrastrukturës së rafinerive ruse e duke thënë se kjo është “një mundësi e jo një marrëveshje”.
Përmes një shkrimi në rrjetin “Telegram”, Zelensky tha se gjatë natës së kaluar nuk pati sulme ndaj objekteve energjetike të Ukrainës.
Në një komunikim tjetër me gazetarë, ai u ankua se mbrojtja ajrore e Ukrainës ka mbetur e varfëruar, sepse aleatët evropianë të Kievit ia kanë vonuar pagesat ShBA-së si pjesë e programit PURL për blerjen e armëve./Nacionale