Mburret Orbani: Budapesti, vendi i vetëm në Evropë ku mund të mbahet takimi Trump – Putin
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, të premten u mburr me statusin e shtetit të tij si vend pritës i takimit të ardhshëm mes presidentëve të ShBA-së e Rusisë, Donald Trump dhe Vladimir Putin, të cilët pritet të diskutojnë rreth përfundimit të luftës në Ukrainë.
Trumpi të enjten e njoftoi takimin e dytë këtë vit me Putinin, një ditë para se të takohej me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë. Data e takimit mes Trumpit e Putinit nuk është caktuar, por kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se samiti do të mbahet në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest, dhe la të kuptohej se ngjarja mund të ndodhë brenda rreth dy javëve, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
“Budapesti është në thelb vendi i vetëm në Evropë ku një takim i tillë mund të mbahej, kryesisht për shkak se Hungaria është pothuajse shteti i vetëm pro paqes. Për tre vjet, ne kemi qenë vendi i vetëm që vazhdimisht, haptas, zëshëm dhe në mënyrë aktive ka avokuar për paqe” – tha kryeministri hungarez.
Të premten, Orbani tha se kishte biseduar me Trumpin të enjten në mbrëmje dhe se do të fliste drejtpërdrejt me Putinin të premten në mëngjes. I ballafaquar me zgjedhjet më sfiduese në 15 vjetët e tij në pushtet në prillin e vitit të ardhshëm, Orbani tha se përderisa bisedimet mes Trumpit e Putinit në Budabest “nuk janë për Hungarinë”, pritja e këtij takimi në kryeqytet mund të shihet si një sukses politik personal.
“Zoti e di se kur ishte hera e fundit që kishte një ngjarje të tillë të rëndësishme diplomatike në Hungari, ku ne nuk jemi thjesht pritës, por kjo gjithashtu konsiderohet arritje politike” – tha ai, transmeton gazeta "Nacionale".
Që nga fillimi i pushtimit të plotë rus të Ukrainës në shkurtin e vitit 2022, Hungaria ka refuzuar që t’i japë armë Ukrainës ose ta lejojë kalimin e tyre transit nëpër territorin e saj. Orbani ka kërcënuar që të bllokojë me veto sanksione të caktuara të Bashkimit Evropian kundër Moskës dhe e ka mbajtur pezull miratimin e pakove të rëndësishme të financimit nga BE-ja për Kievin.