Mbretëresha e Jordanisë e kritikon ashpër Perëndimin rreth Gazës: Standard i dyfishtë verbues - NACIONALE

Mbretëresha e Jordanisë e kritikon ashpër Perëndimin rreth Gazës: Standard i dyfishtë verbues

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Mbretëresha Rania e Jordanisë i ka akuzuar udhëheqësit perëndimorë për “standard të dyfishtë verbues” për dështimin për ta dënuar vdekjen e civilëve gjatë bombardimeve të forcave izraelite në Gaza, përderisa lufta e Izraelit me Hamasin rrezikon që t’i destabilizojë marrëdhëniet mes udhëheqësve amerikanë e arabë.

Duke folur në një intervistë me gazetaren Christiane Amanpour të televizionit CNN, Mbretëresha Rania: “Njerëzit në mbarë Lindjen e Mesme, përfshirë Jordaninë, jemi thjesht të tmerruar dhe të zhgënjyer nga reagimi i botës ndaj kësaj katastrofe që po shpaloset. Në javët e fundit, kemi parë një standard të dyfishtë verbues në botë.”

“Kur ndodhi 7 tetori (sulmi i Hamasit), bota menjëherë dhe pa mëdyshje qëndroi me Izraelin dhe me të drejtën e tij për ta mbrojtur veten dhe e dënoi sulmin që ndodhi... por ajo që po e shohim në javët e fundit, po shohim heshtje në botë”- shtoi ajo.

“Kjo është hera e parë në historinë moderne që ka vuajtje të tillë njerëzore dhe bota madje nuk po bën thirrje as për armëpushim. Pra, heshtja është shurdhuese dhe për shumë në rajonin tonë, kjo e bën botën bashkëfajtore”- tha më tej Mbretëresha Rania.

“A po na thuhet se është gabim që të vritet një familje, një familje e tërë, me armë në dorë, por se është në rregull që ata të bombardohen për vdekje? Dua të them se këtu është një standard i dyfishtë verbues. Është thjesht tmerruese për botën arabe”- shtoi Rania.

Kombet e Bashkuara dhe disa agjenci kanë bërë thirrje për armëpushim urgjent dhe për lëvizje të lirë të ndihmave humanitare, për të cilat popullsia në Gaza ka nevojë të menjëhershme. Mjekët që po punojnë në enklavën e izoluar kanë paralajmëruar se mungesa e energjisë e rrezikon jetën e pacientëve më të ndjeshëm, përfshirë të lënduarit në gjendje kritike dhe të porsalindurit para kohës, që kanë nevojë për inkubatorë.

“Si nënë, i kemi parë nënat palestineze që duhet t’i shkruajnë emrat e fëmijëve të tyre në duar, sepse gjasat që ata të bombardohen për vdekje, që trupat e tyre të shndërrohen në kufoma janë shumë të larta. Vetëm dua që t’ia kujtoj botës së nënat palestineze i duan fëmijët e tyre po aq sa secila nënë tjetër në botë”- e vazhdoi kritikën e saj zonja e parë e Jordanisë.

Lajme të ngjashme