Mblidhet familja Biden, ç’i thanë presidentit: të tërhiqet a të qëndrojë në garë?
Familja e presidentit amerikan, Joe Biden, e ka nxitur atë që të qëndrojë në garë për një mandat të ri në Shtëpinë e Bardhë pas performancës së dobët në debatin me rivalin Donald Trump javën e kaluar, sipas raportimeve të mediave amerikane, përderisa demokratë e donatorë të lartë kanë shprehur zemërim për mënyrën se si stafi e kishte përgatitur politikanin veteran për debatin e parë presidencial.
Presidenti u bashkua me anëtarët e familjes në Kampin “David” të dielën, ku raportohet se në mesin e diskutimeve u përfshinë pyetjet për të ardhmen e tij politike. Kjo erdhi disa ditë pas shtimit të trysnisë ndaj Bidenit, pas një debati në të cilin performanca e tij i vuri në pah pikat e dobëta dhe nxiti thirrje nga ekspertët, mediat dhe votuesit që të tërhiqet nga gara, raporton gazeta “The Guardian”.
Gjatë takimit në Kampin “David”, ku ndodheshin bashkëshortja e presidentit, fëmijët dhe nipërit e mbesat, familja i tha presidentit se ai ende mund t’u dëshmonte amerikanëve se është i aftë për të shërbyer edhe për katër vjet, sipas gazetës “The New York Times”.
Përderisa familja e tij thuhet se ishte e vetëdijshme se sa dobët performoi Bideni, ata vazhdojnë të mendojnë se ai është personi më i mirë për ta mposhtur Donald Trumpin.
Agjencia “Associated Press” raportoi se zërat më të fuqishëm që po i bëjnë thirrje Bidenit për t’i rezistuar presionit për t’u tërhequr nga gara janë bashkëshortja e tij, Jill, dhe djali i tij, Hunter, i cili muajin e kaluar u bë fëmija i parë i një presidenti amerikan në pushtet që u shpall fajtor për një vepër penale, pasi një trup gjykues e shpalli fajtor që kishte gënjyer për përdorim të paligjshëm të drogës, kur kishte blerë një armë më 2018.
Udhëtimi i familjes Biden në Kampin “David” ishte planifikuar më parë për të organizuar një set me fotografi me fotografen Annie Leibovitz për Konventën Kombëtare Demokratike.
Thuhet se të afërmit e presidentit patën kritika për mënyrën se si këshilltarët e tij më të ngushtë e kishin përgatitur për debatin me Trumpin.
Thirrjet që Bideni të tërhiqet nga gara janë bërë më të zëshme pas një sondazhi të CBS-së pas debatit, ku u shënua rënie për 10 për qind e numrit të demokratëve që besojnë se Bideni nuk duhet të garojë për president, nga 36 për qind, sa ishte në shkurt, në 46 për qind.
Përkrahja për Bidenin ka qenë duke u dobësuar që nga ardhja në pushtet dhe shqetësimet për moshën e tij dhe për menaxhimin e krizave brenda e jashtë vendit pas së enjtes janë nën vëzhgim më shumë se kurrë më parë./Nacionale