Mbi 70 për qind e popullsisë është larguar nga Karabaku për në Armeni - NACIONALE

Mbi 70 për qind e popullsisë është larguar nga Karabaku për në Armeni

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Më shumë se 70 për qind e popullsisë së Nagorno-Karabakut është larguar për në Armeni, sipas autoriteteve, përderisa qeveria separatiste e këtij rajoni ka thënë se do të shpërbëhet pas pak muajve dhe republika do të pushojë së ekzistuari.

Zyrtarët armenë thanë se 84 mijë e 770 njerëz ishin larguar nga Nagorno-Karabaku deri të premten në mëngjes, duke e vazhduar eksodin masiv që filloi të dielën. Para fillimit të largimit masiv, në rajon jetonin rreth 120 mijë banorë, raporton agjencia “Associated Press”.

Ministrja e Shëndetësisë e Armenisë, Anahit Avanesyan, tha se disa persona, përfshirë të moshuar, kishin vdekur gjatë rrugës për në Armeni, sepse ishin “të dërrmuar për shkak të kequshqyerjes, të mbetur pa i marrë as ilaçet me vete, dhe ishin në rrugë për më shumë se 40 orë”.

Disa prej atyre që u larguan nga kryeqyteti rajonal, Stepanakert, thanë se nuk kishin shpresë për të ardhmen.

“E lashë Stepanakertin duke pasur pak shpresë se ndoshta diçka do të ndryshojë e do të kthehem së shpejti dhe këto shpresa janë shkatërruar pas leximit (të lajmit) për shpërbërjen e qeverisë sonë”- tha studentja 21-vjeçare, Ani Abaghyan.

“Nuk dua të jetoj me azerë. Ndoshta ka ca njerëz që do të kthehen në shtëpitë e tyre. Unë nuk e dua këtë. Dua të jetoj si armene”- tha 50-vjeçarja Narine Karamyan.

Gjatë tri dekadave të konfliktit në rajon, Azerbajxhani e separatistët brenda Nagorno-Karabakut, bashkë me aleatët në Armeni, e kanë akuzuar njëri-tjetrin për sulme me shënjestër, masakra e mizori të tjera, duke i lënë njerëzit në të dyja anët thellësisht në dyshime e frikë.

Edhe pse Azerbajxhani është zotuar se do t’i respektojë të drejtat e armenëve etnikë në rajon, shumica tash po largohen, sepse nuk besojnë se autoritetet azere do t’i trajtojnë ata në mënyrë të drejtë e njerëzore ose që do t’ua garantojnë gjuhën, fenë dhe kulturën.

Lajme të ngjashme