Mbi 200 aeroplanë luftarakë në ushtrimet e përbashkëta mes ShBA-së e Koresë së Jugut - NACIONALE

Mbi 200 aeroplanë luftarakë në ushtrimet e përbashkëta mes ShBA-së e Koresë së Jugut

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Më shumë se 200 aeroplanë luftarakë të ShBA-së dhe Koresë së Jugut pritet të fluturojnë për pesë ditë këtë javë në atë që do ta shënonte numrin më të madh të fluturimeve në ushtrime nga aleatët, tha të martën forca ajrore e shtetit të largët aziatik.

Këto ushtrime janë pjesë e ushtrimit vjetor, “Mburoja e Lirisë Ulchi”, që janë të planifikuara për ta fuqizuar gatishmërinë e përbashkët të ushtrive të të dyja vendeve kundër rreziqeve nga Koreja e Veriut, tha ushtria e Jugut, raporton agjencia “Reuters”.

Aeroplanët në fluturime patrulluese mbrojtëse do të devijohen për t’u përfshirë në skenarë të luftimeve në ajër përmes ushtrimeve të simuluara, ku përfshihen pengimi i aeroplanëve të imagjinuar të armikut dhe mbrojtja raketore me raketa me drejtim, thuhet më tej në njoftim.

Forca ajrore koreanojugore tha se në ushtrime do të marrin pjesë aeroplanë nga krahët luftarakë të ShBA-së me bazë në Kore të Jugut. Shtetet e Bashkuara kanë të stacionuara 28 mijë e 500 trupa në Kore të Jugut për mbrojtje të kombinuar kundër Koresë së Veriut, shtet që ka armë bërthamore.

Koreja e Veriut rregullisht e dënon ushtrimin vjetor “Mburoja e Lirisë Ulchi”, që nisi të hënën dhe do të vazhdojë deri më 29 gusht, duke akuzuar se ky ushtrim nxit tensione në Gadishullin Korean dhe duke e cilësuar si ushtrim për luftë bërthamore.

Përderisa po mundohet që ta modernizojë flotën e vet ajrore, Koreja e Veriut ballafaqohet me sfida për të siguruar aeroplanë të rinj dhe varet shumë nga aeroplanë luftarakë të vjetruar, përfshirë madje disa aeroplanë të vjetër sovjetikë të tipit “MiG”, që kishin dalë në përdorim në vitet e pesëdhjeta.

Lajme të ngjashme