Mbi 100 të vdekur nga zjarri në një dasmë në Irak, përfshirë çiftin e ri
Të paktën 100 persona kanë vdekur e 150 të tjerë janë lënduar pas shpërthimit të një zjarri në një dasmë në pjesën veriore të Irakut, raportojnë mediat shtetërore.
Ende nuk është e qartë se çfarë e ka shkaktuar zjarrin, por sipas raportimeve të para, thuhet se flaka shpërtheu pas ndezjes së fishekzjarrëve, përcjell televizioni BBC.
Në fotografitë e publikuara në rrjete sociale shihen mbetje të bëra shkrumb në sallën e dasmës në Al-Hamdaniya, që ndodhet në provincën Nineveh.
Në mesin e viktimave janë edhe dhëndri e nusja, sipas zëvendësdrejtorit të Drejtorisë së Shëndetësisë në Nineveh.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë të Irakut, Said Al-Badr, tha se djegiet dhe asfiksia ose mungesa e oksigjenit e kanë shkaktuar vdekjen e njerëzve në dasmë. Sipas tij, zjarri shkaktoi edhe tollovi.
Dëshmitarët në vend të ngjarjes thanë se ndërtesa u përfshi nga zjarri rreth orës 22 e 45 minuta dhe se qindra njerëz po merrnin pjesë në dasmë. Në mesin e të djegurve kishte edhe fëmijë.
Rania Waad, që ishte në dasmë dhe pësoi djegie në dorë, tha se dhëndri e nusja “ishin duke vallëzuar ngadalë, fishekzjarrët nisën që të kërcenin në tavan, e tërë salla u përfshi nga flaka”.
“Nuk mund të shihnim asgjë. Po na zihej fryma, nuk dinim si të dilnim jashtë”- shtoi 17-vjeçarja.
Ahmed Dubardani, zyrtar shëndetësor rajonal, tha se shumë prej të lënduarve kanë pësuar djegie serioze. “Shumica e tyre ishin tërësisht të djegur dhe disa kishin 50 deri në 60 për qind të trupit të djegur. Kjo nuk është aspak mirë. Shumica prej tyre nuk ishin në gjendje të mirë”- tha ai.