Mbi 100 të vdekur e 100 të tjerë të lënduar nga një tërmet në Nepal
Më shumë se 100 persona kanë vdekur pas një tërmeti që ndodhi të premten në pjesën perëndimore të Nepalit.
Sipas Vëzhguesit Gjeologjik të ShBA-së, fuqia e tërmetit ishte 5,6 shkallë të Rihterit dhe epiqendra e tij ishte e cekët, që do të thotë se dridhja ndodhi më afër sipërfaqes së tokës.
Forcat e sigurisë janë dislokuar për të ofruar ndihmë rreth përpjekjeve të shpëtimit në distriktet e Jajarkot-it dhe Rukumit Perëndimor, 500 kilometra në perëndim të kryeqytetit Kathmandu, raporton televizioni BBC.
Dridhje të fuqishme u ndien që larg në kryeqytet dhe në disa qytete në Indi, përfshirë kryeqytetin e saj, New Delhi.
Zëdhënësi i ushtrisë tha se, përpos të vdekurve, mbi 100 persona të tjerë kanë pësuar lëndime. Spitali në Jajarkot është i mbushur me pacientë të lënduar.
Tri dridhje të tjera u ndien brenda një ore pas tërmetit dhe shumë njerëz e kaluan pjesën tjetër të natës në mjedis të hapur për shkak të frikës për tërmete të reja e dëmtim të mundshëm të shtëpive.
Kryeministri i Nepalit, Pushpa Kamal Dahal, arriti të shtunën në zonën e prekur nga tërmeti, pasi kishte shprehur “pikëllim të thellë” për humbjen e jetës së njerëzve dhe të pronave. Ai tha se i kishte urdhëruar agjencitë e sigurisë që menjëherë t’i nisnin operacionet e kërkim-shpëtimit.
Megjithatë, këto operacione po vështirësohen nga bllokimi i rrugëve nga rrëshqitja e dheut, e cila u nxit nga tërmeti.