Mbi 1.000.000 raste në pritje në një Gjykatë të Lartë në Indi - NACIONALE

Mbi 1.000.000 raste në pritje në një Gjykatë të Lartë në Indi

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Punonjësit në Gjykatën e Lartë të Allahabad-it në Indi nuk mund të ankohen se nuk kanë punë.

Me më shumë se një milion raste në pritje, kjo është njëra nga gjykatat më të stërngarkuara në shtetin me popullsinë më të madhe në botë. Çështje të ndryshme, nga gjykimet penale te mosmarrëveshjet familjare e për prona, kanë qenë në pritje me dekada në këtë gjykatë, duke lënë mijëra njerëz në shtetin më të populluar indian, Uttar Pradesh, të ngujuar në beteja ligjore, raporton televizioni BBC.

Për shembull, Babu Ram Rajput, 73 vjeç, ish-punonjës qeveritar tani në pension, është duke zhvilluar një betejë ligjore për një mosmarrëveshje pronësore për më shumë se tri dekada.

Ai kishte blerë tokë në një ankand në vitin 1992, por pronari i mëparshëm e vuri në pikëpyetje shitjen dhe rasti mbetet i pazgjidhur edhe sot.

“Vetëm shpresoj që për rastin tim të merret një vendim përderisa jam ende gjallë” – tha indiani i moshuar.

Situata në Gjykatën e Lartë është pasqyrë e një krize më të gjerë në sistemin gjyqësor në Indi, ku numri i vogël i gjykatësve dhe grumbulli i madh i lëndëve kanë shkaktuar shtyrje të shumta.

Me një kuotë prej 160 gjykatësish, për të cilën ekspertët thonë se nuk është përmbushur asnjëherë plotësisht, gjykata ka mungesë të dukshme të stafit. Shtyrjet në hetimet e policisë, pauzat dhe infrastruktura e dobët po e përkeqësojnë gjendjen.

Avokatët thonë se çështjet urgjente – si apelet për lirim me kusht – shqyrtohen të parat, duke i shtyrë rastet më të vjetra edhe më poshtë në listë.

Datat e pasigurta të seancave dëgjimore po i dëmtojnë njerëzit që janë të përfshirë në raste gjyqësore në Uttar Pradesh-in me sipërfaqe të madhe. Shumë prej tyre udhëtojnë me qindra kilometra deri në qytetin Prayagraj, ku ndodhet gjykata, pasi njoftohen për seancën e tyre vetëm pak ditë para saj./Nacionale

Lajme të ngjashme