“Masakër”: Ushtria e Burkina Fasos akuzohet për vrasjen e së paku 130 civilëve
Të paktën 130 civilë u vranë në mars nga forcat qeveritare të Burkina Fasos dhe grupet militante aleate afër qytezës perëndimore, Solenzo, sipas një raporti të ri të organizatës së njohur për të drejtat e njeriut, “Human Rights Watch” (HRW).
Në këtë raport thuhet se “masakra”, pas një operacioni të udhëhequr nga forcat speciale Burkinabe, rezultoi në vdekje e zhvendosje të gjerë të civilëve të grupit etnik Fulani, raporton televizioni BBC.
Grupi Fulani janë komunitet kryesisht mysliman të cilin Qeveria shpesh e ka akuzuar për mbështetje të militantëve islamikë, pretendim që është mohuar nga udhëheqësit e komunitetit.
Rreth 40 për qind e territorit të Burkina Fasos është nën kontrollin e grupeve të lidhura me al-Qaedan dhe ISIS-in që veprojnë në rajonin Sahel të Afrikës Perëndimore.
Sulmet, në të cilat mijëra njerëz janë vrarë e miliona të tjerë janë zhvendosur, kanë vazhduar pavarësisht nga premtimet e udhëheqësve ushtarakë të vendit për ta trajtuar kryengritjen.
Para publikimit të të gjeturave të HRË-së të hënën, pati raportime për më shumë sulme militante gjatë fundjavës me dhjetëra viktima ushtarake e civile.
Vitin e kaluar, Qeveria e kishte cilësuar si “të pabazë” një raport tjetër të HRË-së, në të cilin ushtarët akuzoheshin për një “masakër” me 223 fshatarë të vrarë.