Marrëveshje e rrallë ShBA – Iran, dëbohen 100 iranianë nga toka amerikane - NACIONALE

Marrëveshje e rrallë ShBA – Iran, dëbohen 100 iranianë nga toka amerikane

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara do të dëbojnë në Iran rreth 100 iranianë, raportoi të martën gazeta “The New York Times”, duke cituar dy zyrtarë të lartë iranianë që ishin të përfshirë në bisedime si dhe një zyrtar amerikan që kishte njohuri rreth këtij plani.

Një aeroplan i aranzhuar nga Shtetet e Bashkuara u nis nga Louisiana të hënën dhe pritej të arrinte në Iran përmes Katarit dikur të martën, sipas raportit të gazetës amerikane.

Dëbimi i këtyre personave, rast i rrallë i bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara e Iranit, erdhi pas bisedimeve që zgjatën disa muaj, tha gazeta e njohur.

Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit i ShBA-së nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese të agjencisë së lajmeve “Reuters” për koment.

Presidenti amerikan, Donald Trump, planifikon që të dëbojë një numër rekord të njerëzve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara pa status ligjor, duke argumentuar se një gjë e tillë është e nevojshme pas atyre që i përshkruan si kalime ilegale të kufirit me shifra rekorde gjatë pushtetit të paraardhësit të tij, Joe Biden.

Sidoqoftë, administrata e tij është ballafaquar me vështirësi për ta rritur nivelin e dëbimeve, edhe pse ka krijuar rrugë të reja për të dërguar imigrantë në shtete prej të cilave ata nuk vijnë.

Identiteti i iranianëve dhe arsyet e tyre për të imigruar në Shtetet e Bashkuara nuk ishin menjëherë të qarta, tha gazeta, duke shtuar se disa prej tyre ishin paraqitur si vullnetarë për t’u larguar, pasi kishin qëndruar me muaj në qendra të ndalimit, ndërsa disa të tjerë nuk e kishin shprehur këtë vullnet.

Sipas gazetës së njohur, Ministria e Jashtme e Iranit ishte duke e bashkërenduar kthimin e të dëbuarve, të cilëve u janë dhënë garanci se do të jenë të sigurt dhe nuk do të ballafaqohen me ndonjë problem.

Shtetet e Bashkuara në shkurt dëbuan 119 persona nga shtete të ndryshme, përfshirë Iranin, duke i dërguar në Panama si pjesë e një marrëveshjeje mes dy vendeve./Nacionale

Lajme të ngjashme