Macroni thotë se Ukrainës i duhet qëndrim “realist” rreth çështjeve territoriale
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha të hënën se Ukraina duhet të ketë pozicion realist rreth çështjeve territoriale si pjesë e përpjekjeve për fillimin e bisedimeve me Rusinë.
Duke folur në një konferencë vjetore të ambasadorëve francezë për ta përvijuar strategjinë e tyre të vitit, komentet e Macronit ishin të parat ku ai sugjeroi se Kievi duhet të shqyrtojë një pozicion përtej synimit për ta rifituar tërë territorin e kapur nga Rusia, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ukrainasit duhet të mbajnë një diskutim realist rreth çështjeve territoriale dhe vetëm ata mund ta bëjnë këtë, dhe evropianët janë duke llogaritur në ndërtimin e garancive të sigurisë që do të jenë përgjegjësia e tyre” – tha presidenti francez.
Sipas tij, roli i Shteteve të Bashkuara duhet të jetë që ta bindin Rusinë për t’u ulur në tavolinën e bisedimeve, duke shtuar se nuk mund të arrihet marrëveshje për zgjidhjen e konfliktit pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të Ukrainës dhe Evropës.
Macroni ritheksoi se aleatët e Ukrainës duhet të sigurohen që Kievi ka mbështetje të mjaftueshme në mënyrë që të mund të hyjë në bisedime nga pozicioni i fuqisë. Ai nuk dha ndonjë zotim të ri specifik për ta ndihmuar Ukrainën.
“Nuk do të ketë një zgjidhje të shpejtë dhe të lehtë” – tha Macroni, duke iu referuar premtimit të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund shpejt luftës.