Macroni thotë se sulmet e Izraelit në Liban janë të pajustifikuara - NACIONALE

Macroni thotë se sulmet e Izraelit në Liban janë të pajustifikuara

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se nuk ka pasur veprime që i justifikojnë sulmet e Izraelit ndaj Hezbollahut në Liban të premten dhe se ai do t’i telefononte homologun amerikan, Donald Trump, dhe kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për të diskutuar rreth këtyre sulmeve.

Forcat ajrore izraelite bombarduan një ndërtesë në periferinë jugore të Bejrutit, sulmi i parë substancial i saj ndaj kryeqytetit libanez që nga armëpushimi i arritur në nëntor, i cili ishte ndërmjetësuar nga Franca dhe Shtetet e Bashkuara e me të cilin i ishte dhënë fund një lufte mes Izraelit e Hezbollahut, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Korniza për të cilën është arritur pajtueshmëri nga Libani e Izraeli nuk u respektua sot nga Izraeli, në mënyrë të njëanshme, dhe ne pa pasur as informata, as prova për ngjarjen që e nxiti këtë” – tha Macroni.

Presidenti francez zhvilloi një takim në Paris me homologun libanez, Joseph Aoun, për të diskutuar rreth reformave ekonomike dhe përpjekjeve për stabilizimin e Libanit.

Macroni tha se do ta telefononte Trumpin “në orët në vazhdim”, ndërsa Netanyahun “në 48 orët e ardhshme” me qëllim të “rikthimit te respektimi i plotë i armëpushimit”.

Sipas armëpushimit të arritur në nëntor, Hezbollahut i kërkohet që t’i largojë armët nga pjesa jugore e Libanit, Izraelit që t’i tërheqë forcat, ndërsa Libanit që ta dislokojë ushtrinë në rajon.

Nga ajo kohë, Libani, Hezbollahu e Izraeli kanë shkëmbyer akuza mes vete për shkeljen e armëpushimit./Nacionale

Lajme të ngjashme