Macroni thotë se Franca do t’i dhurojë Ukrainës aeroplanë luftarakë “Mirage 2000” - NACIONALE

Macroni thotë se Franca do t’i dhurojë Ukrainës aeroplanë luftarakë “Mirage 2000”

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha të enjten se vendi i tij do t’i dhurojë Ukrainës aeroplanë luftarakë të tipit “Mirage 2000”.

Macroni bëri të ditur se njoftimi për dhurimin e këtyre aeroplanëve do të bëhet të premten, me rastin e vizitës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, si pjesë e ceremonisë për shënimin e përvjetorit të Ditës D, raporton agjencia “Reuters”.

Presidenti francez nuk saktësoi se sa aeroplanë të tillë do t’i dhurohen Ukrainës, kur ose sipas çfarë kushtesh financiare.

Sidoqoftë, Macroni shtoi se Franca ka propozuar që pilotët ukrainas të trajnohen në Francë nga kjo verë.

Ai gjithashtu tha se Franca ka propozuar që të trajnojë 4.500 ushtarë ukrainas. Ai nuk tregoi se ku do të trajnoheshin këta ushtarë, por shtoi se tash për tash nuk ka trajnues ushtarakë francezë në territorin ukrainas.

Aeroplani luftarak “Mirage 2000” kryen shumë role dhe ka vetëm një motor.

Zelensky tha në shtator se kishte arritur një marrëveshje për trajnimin e pilotëve ukrainas në Francë gjatë një bisede me homologun francez.

Komandanti i forcave ajrore ukrainase tha në janar se aeroplanët “Mirage 2000” mund t’i përforcojnë forcat e tij.

Lajme të ngjashme