Macroni thotë se Franca do ta zgjerojë arsenalin e saj bërthamor - NACIONALE

Macroni thotë se Franca do ta zgjerojë arsenalin e saj bërthamor

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Franca do ta zgjerojë arsenalin e vet bërthamorë dhe potencialisht do t’i lejojë partnerët evropianë që të shërbejnë si vende pritëse të aeroplanëve të saj në misione për parandalim bërthamor, tha të hënën presidenti francez, Emmanuel Macron, duke sinjalizuar një ndryshim të madh të doktrinës për vendin e tij dhe për tërë kontinentin.

Edhe pse Franca e Britania e Madhe janë fuqi bërthamore, shumica e shteteve evropiane janë mbështetur kryesisht te Shtetet e Bashkuara për frenimin e ndonjë armiku të mundshëm, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Megjithatë, riafrimi i Trumpit me Rusinë rreth luftës në Ukrainë dhe qëndrimi i tij më i ashpër ndaj aleatëve tradicionalë i kanë dridhur qeveritë evropianë dhe disa vende kanë shprehur interesim për atë se si Parisi do të mund t’i mbronte duke e zgjeruar ombrellën e vet bërthamore.

“Ne tani për tani jemi duke përjetuar një periudhë të rrëmujës gjeopolitike të mbushur me rrezik” – tha Macroni në një fjalim që e mbajti nga një bazë nëndetësesh në rajonin Brittany, duke shtuar se nevojitet një forcim i modelit mbrojtës francez.

Duke e zbuluar përditësimin e doktrinës bërthamore të Francës, ritual që bëhet një herë në mandat nga presidentët, Macroni premtoi më shumë bashkëpunim me aleatët evropianë që kanë shprehur interesim.

Gjermania, Greqia, Polonia, Holanda, Belgjika, Danimarka dhe Suedia do të mund të merrnin pjesë në ushtrimet ushtarake bërthamore të ushtrisë franceze.

“Besoj se mund të them që partnerët tanë janë gati” – tha Macroni. Megjithatë, ai nuk dha hollësi se si do të financohet fuqizimi i mbrojtjes bërthamore, por bëri të qartë se vendimmarrja për sulme bërthamore do të mbetet vetëm në duart e presidentit francez.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, tha në një deklaratë të përbashkët me Macronin se Franca dhe Gjermania kanë themeluar një grup drejtues bërthamor për t’i diskutuar çështjet e mbrojtjes dhe do ta fillojnë bashkëpunimin konkret këtë vit.

Kryeministri polak, Donald Tusk, tha në rrjetin X se vendi i tij është në bisedime “me Francën dhe me një grup të aleatëve më të ngushtë evropianë rreth programit të mbrojtjes së avancuar bërthamore”.

“Ne do të armatosemi së bashku me miqtë tanë në mënyrë që armiqtë tanë nuk do të guxojnë kurrë që të na sulmojnë”- shtoi ai./Nacionale

Lajme të ngjashme