Macroni i premton përkrahje Libanit, e kritikon operacionin tokësor të Izraelit - NACIONALE

Macroni i premton përkrahje Libanit, e kritikon operacionin tokësor të Izraelit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka bërë thirrje për përfundim të luftimeve në Liban, duke e kritikuar hyrjen e trupave izraelite në jug të këtij shteti dhe duke i bërë thirrje Hezbollahut që t’i ndërpresë operacionet.

Duke folur në një konferencë ndërkombëtare në Paris për të grumbulluar ndihma humanitare e ushtarake për Libanin, ku po marrin pjesë rreth 70 vende dhe grupe ndërkombëtare, përfshirë kryeministrin në detyrë të Libanit, Najib Mikati, Macroni tha se konferenca do ta mbështesë rekrutimin e 6 mijë ushtarëve të rinj në ushtrinë libaneze dhe do të sigurojë furnizime kyçe, raporton gazeta “The Guardian”.

Duke folur për forcën paqeruajtëse të OKB-së, UNIFIL, që ka qenë operacionale në Liban që nga viti 1978, Macroni tha se ajo duhet t’ua përshtatë rolin e vet rrethanave dhe se sulmet ndaj saj nga forcat izraelite nuk janë të justifikuara.

Më tutje, presidenti francez njoftoi se vendi i tij do të ofrojë ndihma humanitare me vlerë të 100 milionë eurove.

“Në rrafshin e menjëhershëm, ndihmë masive nevojitet për popullin libanez, për qindra mijëra njerëzit e zhvendosur nga lufta dhe për komunitetet që i strehojnë ata” – shtoi Macroni.

Më herët, ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noël Barrot, tha se Libani është “buzë një humnere”.

Duke e përshkruar Libanin si “mik të Francës”, kryediplomati francez shtoi: “Është detyra jonë që të veprojmë dhe, për këtë arsye, Franca e ka ndërmarrë këtë nismë”.

As Irani, as Izraeli nuk janë ftuar në konferencë. Në Liban vepron Hezbollahu, grup që përkrahet nga Teherani.

Lajme të ngjashme