Macroni i bën thirrje Izraelit që ta përshpejtojë tërheqjen nga Libani
Presidenti francez, Emmanuel Macron, të premten i bëri thirrje Izraelit që ta përshpejtojë tërheqjen e trupave nga pjesa jugore e Libanit, përderisa po afrohet afati për tërheqje sipas kushteve të marrëveshjes për armëpushim me të cilën iu dha fund luftës me Hezbollahun vitin e kaluar.
Duke folur gjatë një vizite në Bejrut, Macroni gjithashtu tha se ushtria libaneze duhet të ketë monopol të plotë ndaj armëve dhe e shprehu mbështetjen e Francës për fuqizimin e dislokimit të ushtrisë libaneze në jug të vendit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Na duhet një tërheqje e plotë e ushtrisë izraelite” – tha Macroni, duke folur krahas presidentit të ri të Libanit, Joseph Aoun, i cili ishte komandant i ushtrisë libaneze deri në zgjedhjen në krye të vendit këtë muaj.
“Ne i mbështesim... fuqinë e shtuar të forcave të armatosura libaneze dhe dislokimin e tyre në jug të vendit. Forcat e armatosura libaneze përbëjnë një shtyllë të sovranitetit të Libanit” – shtoi presidenti francez.
Macroni është kreu i parë i një shteti që e viziton Bejrutin nga koha kur Aouni u zgjodh më 9 janar nga deputetët libanez si president për ta plotësuar pozitën që kishte mbetur boshe, duke sinjalizuar ndryshim në baraspeshën e pushtetit në vend pas një lufte që e la dukshëm të dobësuar Hezbollahun e përkrahur nga Irani.
Armëpushimi, që hyri në fuqi më 27 nëntor, u ndërmjetësua nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca, kërkon që forcat izraelite të tërhiqen nga pjesa jugore e Libanit brenda 60 ditëve, ndërsa nga Hezbollahu që t’i largojë të gjithë luftëtarët dhe armët nga ajo pjesë.