Macroni e kritikon Trumpin pas komenteve të amerikanit për martesën e tij
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se komentet e homologut amerikan, Donald Trump, në lidhje me martesën e tij nuk janë “as elegante, as të përshtatshme”, pasi kreu i Shtëpisë së Bardhë u tall me Macronin dhe me bashkëshorten e tij gjatë një dreke private në Uashington.
Pasi arriti në Korenë e Jugut të enjten, Macroni e bëri të qartë pakënaqësinë e tij me komentet e Trumpit, të cilat u shfaqën shkurt në një video në kanalin e Shtëpisë së Bardhë në “YouTube” para se të fshiheshin, shkruan gazeta “The Guardian”.
“Atëherë, unë nuk do t’u përgjigjem atyre [komenteve], nuk meritojnë përgjigje” – tha presidenti francez.
Në Francë pati zemërim, pasi Trumpi u duk se po tallej me Macronin dhe gruan e tij gjatë drekës të mërkurën. Në mesin e mysafirëve kishte udhëheqës fetarë dhe figura qeveritare në Uashington. Trumpi gjithashtu i kritikoi vendet e NATO-s pse nuk i janë bashkuar luftës së tij kundër Iranit.
Duke imituar një theks të gjuhës franceze, Trumpi tha se gruaja e Macronit, Brigitte, “e trajton atë tepër keq”. Duke folur rreth kërkesës për Francën që të ofronte ndihmë kundër Iranit, Trumpi tha: “Nuk na duheshin, por u kërkova [ndihmë] sidoqoftë.”
“E thërras Francën, Macronin – gruaja e të cilit e trajton atë tepër keq. Ende duke e marrë veten nga [shuplaka] e djathta në nofull” – tha presidenti amerikan.
Mësa duket, presidenti amerikan po i referohej një videoje të majit të vitit të kaluar, ku duket sikur e shfaq zonjën Brigitte Macron duke e shtyrë fytyrën e burrit të saj, kur të dy po përgatiteshin për të zbritur nga një aeroplan gjatë një vizite zyrtare në Vietnam.